De Jong sqaron dëmtimin e tij: Njerëzit menduan se fitoj 37 milionë euro dhe jam me pushime, por…

1 Tetor 2024
9:10
Alfred Lleshi
back button

Frenkie de Jong tashmë sheh dritën në fund të tunelit të gjatë, që e ka mbajtur larg fushave të lojës që nga prilli. Tri lëndime të njëpasnjëshme në kyçin e këmbës së djathtë e penguan atë të kishte vazhdimësi sezonin e kaluar, i mohuan finalet e “Euro 2024” dhe të startonte këtë edicion në vijim. Gjithçka tregon se këtë javë do t’iu bashkohet plotësisht seancave stërvitore me grupin e Hansi Flick.

27-vjeçari holandez i ka humbur 38 ndeshje deri tani për shkak të problemeve të vazhdueshme në kyçin e këmbës, përfshirë edhe Europianin e Gjermanisë, por shpreson që së shpejti t’i bashkohet projektit të trajnerit gjerman. Mesfushori foli sinqerisht në mediat e klubit dhe siguroi se, jo vetëm vendimi për të mos u bërë operacion ishte i përbashkët mes tij dhe Barçës, por mohoi se kishte marrë shifrat e tepruara që janë publikuar.

Rimëkëmbja – “Ka qenë një proces shumë i vështirë sepse të luaj futboll është ajo që më pëlqen më shumë. E dua futbollin, është pasioni im. Kështu ka qenë gjatë gjithë jetës sime. Kur nuk mund të luash ndeshje të rëndësishme, humbet edhe Europianin, ana psikologjike rëndohet së tepërmi. Beteja me lëndimet ka qenë një proces shumë i vështirë, por nuk dorëzohem. Ajo që më pëlqen më shumë është të luaj futboll”.

Dëmtimi – “Çdo ditë, kur ngrihesha nga shtrati, shikoja kyçin e këmbës. Mendërisht, ishte një proces i vështirë, sepse futbolli është ai që më pëlqen më shumë. Tri dëmtimet në të njëjtin kyç këmbe më shkaktuan një traumë të lehtë mendore, por pak nga pak po rifitoj besimin për ta goditur topin fort dhe të angazhohem në duele. Po rifitoj besimin, po eci hap pas hapi, ndihem mirë”.

Kthimi – “Unë jam në proces rehabilitimi, shpresoj se nuk do të zgjasë shumë”.

Mund të jetë një imazh i turmë dhe teksti

Pozicioni me trajnerin Flick – “Ai më kërkon të njëjtën gjë, si gjithë të tjerëve, të jap gjithçka, 100 për qind. Kur të kthehem, do të shohim nëse do të luaj dhe ku do të pozicionohem. Këto janë gjërat e trajnerit. Më pëlqen si po luan Barcelona tani, por pozicioni im varet nga lojtarët teknikë”.

Si e sheh Barcelonën – “E shoh ekipin shumë mirë, me energji dhe mjaft cilësi. Ka një atmosferë të mirë, energji të mirë në fushë. Unë dua shumë të jem pjesë e këtij ekipi për të kontribuar maksimalisht. I shoh të gjithë të lumtur, edhe unë dua të jem pjesë e kësaj. Më pëlqen shumë mënyra se si po luajmë, dua të jem pjesë e kësaj”.

Kritikat – “Gjatë procesit të rikuperimit kam qëndruar i heshtur. Nuk është e vërtetë që klubi ka thënë se duhet të operohem dhe unë nuk kam dashur. Të gjithë në klub, shërbimet mjekësore dhe unë kemi rënë dakord që të mos operohem. Ky ishte opsioni më i mirë. Nuk e kuptoj se nga vijnë këto gjëra”.

Kontrata – “Nuk është e vërtetë që fitoj 37 milionë euro. Kjo është një shifër shumë e lartë, shumë larg nga ajo që fitoj. Unë i kuptoj njerëzit që zhgënjehen, thonë se ky djalë po merr shumë para, thotë se nuk dëshiron të bëjë ndërhyrje kirurgjikale në kyçin e këmbës, se është delikate, e vështirë, por jam duke u përmirësuar dhe ndodhem afër rikthimit”.

Kapiten – “Është krenari e madhe të jesh kapiten i Barcelonës. Do të jap gjithçka, si gjithmonë. Do të përpiqem të jap një shembull të mirë për njerëzit dhe shokët e mi. Gjëja e parë është të kthehem sa më mirë dhe më pas vijnë gjërat e tjera”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit