Trajneri i kombëtares spanjolle Luis De La Fuente, foli në sot në prag të ndeshjes kundër Italisë, e vlefshme për Grupin B të Euro 2024, ku bën pjesë edhe Shqipëria. “Ne duam ta fitojmë ndeshjen, është sfida më e rëndësishme për të cilën po mendoj”, tha De La Fuente.
“Ne përpiqemi të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje, por sigurisht që është një sfidë shumë e rëndësishme për ne. Ne gjithmonë dalim në fushë për të marrë maksimumin, gjithmonë për të fituar, nuk do të dija të luaja për një rezultat tjetër”, tha trajneri spanjoll.
“Italia ka një kombëtare që ngjan shumë me tonën, ka shumë lojtarë shumë të rinj. Kanë shumë lojtarë cilësorë në nivel individual dhe gjithashtu lojtarë me përvojë. Do të jetë paksa si të shikojmë në pasqyrë”, tha De La Fuente.
Më tej, trajneri i iberikëve shtoi: “Ne po rritemi si ekip, po përpiqemi të punojmë në mënyrë kohezive, ata gjithashtu kanë individë të rëndësishëm dhe do të jetë një ndeshje shumë e lartë dhe e ekuilibruar”.
Duke folur për mundësitë që ka Spanja për të fituar turneut, De La fuene tha: “Unë nuk i di opinionet e të tjerëve, deri më tani të gjitha mendimet kanë qenë pozitive, por gjithmonë ka vend për përmirësim. Ne duhet të vazhdojmë të rritemi, të bëjmë hapa përpara”.
“Ky është një turne shumë i gjatë, është një maratonë. Franca, Italia, Anglia apo Portugalia janë të gjitha skuadra me potencial të madh, nuk ka rëndësi se si luajtën në ditën e pare. Le të përpiqemi të qëndrojmë të përulur, ne do të vazhdojmë të punojmë për t’u rritur”, u shpreh De La Fuente.