“Debutoi” pas dëmtimit të rëndë, Idrizaj tregon ndryshimet te Partizani

23 Tetor 2019
13:26
Alfred Lleshi
back button

Partizani do ta luajë nesër ndeshjen e javës së 9-të të Superiores. Përballë do të ketë Skënderbeun, në “Selman Stermasi”, prej orës 15:00. Në konferencën për shtyp, para kësaj sfide të shumëpritur, klubi i kuq ka nxjerrë mbrojtësin Hektor Idrizaj. Vlonjati u kthye pas dëmtimit të rëndë që pësoi sezonin e kaluar, duke “debutuar” ndaj Vllaznisë, pak ditë më parë. Tashmë, ai bashkë me skuadrën shohin përpara: “Për mua ishte një rikthim emocionues, pas një kohe shumë të gjatë. Dëmtimi qe i rëndë, periudha e rikuperimit shumë e vështirë dhe që zgjati disa muaj. Futbolli lidhet ngushtë me emocionet, ndaj kur hyra në fushë ndaj Vllaznisë m’u duk sikur po debutoja, po luaja për herë të parë.

Kam qenë larg skuadrës për një kohë të gjatë, por e kam ndjekur rregullisht përmes ekranit. Shikoj mjaft ndryshime, që janë bërë për mirë. Partizani aktual ka më shumë konkurrencë. Trajneri ka më tepër zgjedhje në dispozicion. Të gjithë duhet të japin maksimumin. Ekipi ka ardhur në rritje, mbetet të harmonizohemi më mirë në lojë dhe të përmbushim pritshmëritë. Rivaliteti? Ky kampionat nuk ka skuadra të lehta. Duhet vlerësuar maksimalisht çdo ndeshje. Na nevojitet vazhdimësia. 

Skënderbeu ka një skuadër të mirë, ndoshta ka bërë ndryshime në organikë, por ruan mentalitetin e viteve të kaluara. Skuadra korçare di t’i vlerësojë ndeshjet e mëdha. Pra, parashikoj një duel mjaft të vështirë nesër. Forca jonë është grupi. Kur ke alternativa, rritet cilësia, e gjitha aty qëndron. Në fund, secili bën llogaritë e veta dhe punon për t’i arritur objektivat. Partizani është kampion, ka synim ta mbrojë titullin, edhe pse rivalë të tjerë duan të njëjtën gjë”.

Standings provided by Sofascore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit