Del Piero, mesazh i koduar për Juventusin: Kushdo që ka bërë histori në atë klub duhet që të…

9 Nëntor 2024
2:01
Alfred Lleshi
back button

Alessandro Del Piero ishte, është dhe do të jetë gjithmonë një simbol i Juventusit. Gjatë “Federico Buffa Talks”, ish-numri 10 ka ripërsëritur lidhjen e tij të madhe me mjedisin bardhezi, duke nisur edhe një “mesazh” për “Zonjën e Vjetër”: “Unë besoj se një person, ose më shumë se një person në shoqërinë e një klubi, që ka marrë pjesë në historinë e klubit, duhet të jetë atje dhe të mbajë role drejtuesi.

Lidhja që kam me Juventusin mbetet aq e mirë sa ishte gjithë kohës që kam luajtur atje. Nuk do ta njollos kurrë me asgjë, pavarësisht nëse ndonjëherë do të kem apo jo ndonjë rol drejtuesi në këtë klub. Por, a e dini se çfarë do të thotë të kesh njerëz që brohorasin edhe për një rrëshqitje, një vrapim, padyshim për një gol? Stadiumet moderne me tifozët aq afër lojtarëve të bëjnë të fluturosh”.

Pastaj disa mendime për Juventusin në Serie B, në vitin 2006: “Kur ramë në Serie B me Juventusin, gjetëm një kampionat krejtësisht të ndryshëm nga ai që isha unë dhe ishim mësuar. Ky ishte një moment dramatik për Juven. Kishte kaq shumë urrejtje ndaj nesh, ishim kokat e kurbanit, duhej të vuanim në fushë.

Duke hyrë në fushë mendova se vetëm një muaj e gjysmë më parë kisha qenë në Berlin për të ngritur Kupën e Botës. Megjithatë qëndrova i qetë, sepse të luaja në Serie B ishte zgjedhja ime. E bëra për skuadrën time të zemrës, Juventusin.

Momenti ishte gjithashtu dramatik për shkak të mënyrës se si njerëzit na shihnin dhe çfarë mendonin për ne. Unë luajta me shokë të jashtëzakonshëm skuadre në Serie B. Për Juventusin ishte një moment rindërtimi, kishim disa pozicione të zbuluara dhe gjithashtu penalitetin prej -17 pikësh. Kur luanin ndaj nesh,  për të gjitha skuadrat ishte ndeshja e jetës së tyre”.

Dhe duke folur gjithmonë për momente të ndërlikuara, Del Piero më pas shpjegoi me detaje vendimin e tij në vitin 2011 për të nënshkruar bosh rinovimin e kontratës me Juventusin: “Ai vendim lindi pas disa muajsh të vështirë. Skuadra po shkonte keq dhe u fol shumë për kontratën time, veçanërisht nga pikëpamja ekonomike. Gjithmonë e kisha theksuar se nuk ishte ky problemi.

Ndoshta u bë edhe për të më vënë pak në një dritë të keqe, për këtë arsye më pas shpalla publikisht se do të firmosja bosh”. Kapiteni legjendar bardhezi thotë se dashuria e tij për Juventusin nuk u lëkund as kur skuadra zbriti në Serie B, pass skandalit të “Calciopoli”:

“Në vitin 2006 filloi një rrugëtim që na pa të përfundonim në humnerë, por që nuk doja ta pranoja. Dëshira ime ishte që të largohesha me nder nga Juventusi, duke fituar përsëri. Doja ta lija Juventusin në majë, sikurse e gjeta kur mbërrita më 1993.

Kësisoji, në vitin 2011 nënshkrova kontratë bosh për të hequr të gjitha dyshimet mbi veten time. Motivimet e mia ishin të lidhura vetëm me fushën dhe lidhjen shpirtërore për Juventusin. Çfarë më ndodhi në 19 vite me atë fanellë është e pabesueshme”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit