Dembélé: Te PSG jemi si një familje, po e shijoj lirinë taktike të Luis Enrique

5 Korrik 2025
10:45
Alfred Lleshi
back button

Gjatë një interviste për kanalet zyrtare të klubit, sulmuesi i PSG, Ousmane Dembélé, ka folur për raportin e tij me Luis Enrique: “Kur firmosa për PSG, ai pati menjëherë besim tek unë. Më jep shumë këshilla në fushë dhe më lë gjithashtu shumë liri, shpesh më thotë: Do të të kërkoj të bësh dy ose tri gjëra, por ti ke mundësinë të zgjedhësh vetë.

Më pëlqen fakti që luaj në një rol që më lejon të jem i lirë në fushë. Më pëlqen kjo. Mund të shkoj djathtas, majtas…, mund të ndryshoj. Ndjehem mirë në këtë pozicion, ku kam shumë liri. Rol udhëheqës? Normalisht, unë mbetem vetvetja. Kam folur edhe me trajnerin në fillim të sezonit.

Më tha të jap shembullin si për të rinjtë, ashtu edhe për lojtarët më të mëdhenj. Kjo shprehet në fushë, me presingun, me angazhimin, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm. Pastaj, në jetën e grupit, unë mbetem vetvetja. Nuk mund të ndryshoj. Argëtohem shumë me shokët e skuadrës, por kur vjen koha për të qenë serioz, duhet të jesh serioz.

Lidhja që na bashkon? PSG është si një familje. Kalojmë më shumë kohë me këtë skuadër sesa me familjet tona. Krijohet një lidhje e veçantë. Po punojmë së bashku prej dy vitesh tashmë. Kjo i bën mirë skuadrës, forcon besimin, na ka dhënë këto rezultate në këtë sezon të dytë. Atmosfera ka qenë e jashtëzakonshme.

Të gjithë përpiqemi t’i japim këshilla njëri-tjetrit, të inkurajohemi dhe të angazhohemi për të tjerët. Kjo është e rëndësishme dhe po jep fryte. Jemi si një familje. Qoftë kur fitojmë, qoftë kur humbim, duhet të qëndrojmë të bashkuar. Trajneri na e përsërit gjithmonë: jemi një skuadër dhe duhet të luajmë së bashku, të vrapojmë, të sulmojmë dhe të mbrojmë së bashku”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit