Lajm i keq për Gjermaninë, pas barazimit të arritur ndaj Zvicrës, që gjithsesi i dha vendin e parë në grup dhe kualifikimin në 1/8 finale të “Euro 2024”, si një nga pretendentët kryesorë për titull. Në fakt, në ndeshjen kundër zviceranëve, mbrojtësi Antonio Rudiger u pa duke u rrëzuar përtokë nga dhimbjet, në momentin që bashkëlojtarët e tij festonin barazimin 1-1 të Fullkrug në kohën shtesë.
Kjo skenë, ndër të tjera, u keqinterpretua nga dikush në stafin teknik gjerman, i cili nxitoi të hidhte hipotezën sesi mbrojtësi mund të ishte lënduar pikërisht duke festuar golin e shokut të skuadrës. Në realitet ai ishte lënduar më parë, por vazhdoi pa hezitim ta përfundonte ndeshjen.
Siç raporton “Bild”, Rudiger ka një tendosje muskulore në pjesën e pasme të kofshës. Drejtori sportiv i kombëtares gjermane, Rudi Voeller, deklaroi lidhur me këtë: “Nuk duket të jetë ndonjë gjë dramatike, por është fakt, mund të jetë e vështirë për Rudiger të luajë në ndeshjen e 1/8 finale, të shtunën”.
Një mungesë e rëndësishme për t’u menaxhuar nga trajneri Nagelsmann, i cili të paktën mund të mendojë ta rifitojë atë nëse, përfundimisht, “Mannschaft” do të sigurojë hyrjen në çerekfinale.