Departamenti i Komunikimit në FSHF bë me dije se sulmuesi Myrto Uzuni ka pasur një problem muskulor në ndeshjen e fundit me kubin e tij, por u paraqit në kombëtare për t’iu nënshtruar analizave mjekësore. Dje futbollisti bëri rezonancën magnetike, që evidentoi një dëmtim në muskujt e pulpës së djathtë.

Për këtë arsye, lojtari nuk mund të jetë i disponueshëm për ndeshjet e kombëtares në tetor dhe do të kthehet në klubin e tij për të vazhduar programin e rikuperimit.

Trajneri Silvinjo ka vendosur të thërrasë në vendin e tij sulmuesin Indrit Tuci, i cili pritet të mbërrijë sot në Tiranë për t’iu bashkuar ekipit në përgatitjet për dy transfertat e rëndësishme.