Derbi i Kryeqytetit mbyllet pa fitues, por “paqja” prishet nga skenat e tribunave!

3 Dhjetor 2023
23:33
Telesport
back button

Tifozeritë e Partizanit dhe Tiranës, janë përplasur pas përfundimit të derbit, i cili mbyll me rezultatin e barabartë 1-1, me golat e Hasanit dhe Kekos. Sikur të mos mjaftonin tymueset dhe sendet e forta që u hodhën në fushë gjatë ndeshjes, një numër i konsiderueshëm i dy tifozerive janë përplasur edhe fizikisht në shkallët e stadiumit.

Për pasojë është dashur të ndërhyjë policia dhe FNSH për të qetësuar situatën. Gjatë konfliktit janë thyer sërish stola të stadiumit, madje disave prej tyre i është vënë edhe flaka. Skena të përsëritura këto mos tifozerive, që me siguri nuk do të kalojnë pa penalitete dhe gjoba për tifozët dhe klubet.

Ndeshja – Nuk pati fitues në derbin numër 172 mes Tiranës dhe Partizanit, që ndajnë pikët pas barazimi 1-1. Ky barazim ruan në shtatë pikë diferencën mes skuadrave, me të kuqtë në vendin e dytë.

Ndeshjen e zhbllokoi Florent Hasani, me një goditje spektakolare brenda zonës në minutën e 28-të, gol që konfirmoi në njëfarë mënyrë dominimin e bardhebluve në pjesën e parë.

Liridon Latifi kishte rast shumë të mirë në minutën 48-të, por nuk gjeti rrjetën me portën thuajse të boshatisur.

Po ashtu kishte edhe përplasje në fushë mes Dokës dhe Rrapajt pas një ndërhyrje të ashpër të mesfushorit të Partizanit. Gjyqtari u tregoi të dyve kartonin e verdhë.

10 minuta para përfundimit të kohës së rregullt, Albers Keko, i sapofutur në lojë, barazoi rezultatin. Pas këtij barazimi, në vendin e parë mbeti Egnatia me 33 pikë, i dyti Partizani me 29 pikë, Tirana e treta me 22 pikë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit