Derbi i Torinos mbërrin në javën e 12-të të Serie A, e planifikuar për nesër në “Allianz Stadium”, prej orës 20:45. Në konferencën për shtyp, trajneri Thiago Motta bëri bilancin e çështjeve të momentit dhe derbit të tij të parë në Mole: “Ndjesitë janë të mira, sepse e shoh ekipin në formë, me qëndrimin e duhur. Në prag të sfidave të tilla atmosfera është e veçantë, mendojmë këtu edhe tifozët tanë. Pra, duhet të japim maksimumin, të luajmë një ndeshje të madhe”.
Çfarë është e veçantë për këtë “Derby della Mole”?
Rëndësia e një derbi dihet, qyteti e jeton atë intensivisht, ashtu si ne. Janë ndeshje të mira për t’u luajtur, ekstiston atmosferë e veçantë, të dyja skuadrat janë të vetëdijshme për rëndësinë. Ne do të duhet të luajmë një ndeshje të mrekullueshme për të dalë me tri pikët.
Si u kthye skuadra nga Lille në nivel fizik?
Shumë mirë, kemi pasur 3 ditë rikuperimi. Unë e shoh shumë mirë skuadrën, kam besim në angazhimin e të gjithëve, si nga fillimi, ashtu edhe gjatë ndeshjes. Do të hyjmë në ndeshje të karikuar 200%. Kjo vlen për cilindo që do të luajë, nga fillimi apo gjatë lojës.
Si ishte vizita e Bonuccit?
Folëm për të ardhmen e tij si trajner. E njoh prej kohësh, sepse kemi luajtur së bashku. Për ne, vizita e tij është privilegj. Në mbrojtje po punojmë mirë, por ende mund të besojmë në këshillat e tij.
A keni pasur mundësi të njiheni me qytetin?
Sinqerisht, nuk jetoj shumë në qytet. Sidoqoftë, ndihem i privilegjuar, sepse gjatë gjithë karrierës sime kam pasur fatin të jetoj në një qytet të bukur. Sot jam i privilegjuar të jem në një ekip të madh dhe të jetoj në një qytet të tillë kaq futbolldashës.
Cilat janë kërkesat për të patur shiritin e kapitenit të Juventusit?
Ky lojtar duhet të ketë gjithçka. Kapiteni duhet të tregojë se kush jemi ne tani.
Si është Douglas Luiz?
Douglas erdhi në Lille me kërkesën time. Dje nuk u ndje 100% dhe vendosa që të mos e rrezikoja. Nico nuk do të jetë në dispozicion. Milik dhe Bremer do të kenë nevojë për më shumë kohë. Adzic do të ketë nevojë gjithashtu për t’u vlerësuar.
Cilat janë ambiciet personale si trajner i Juventusit?
Sigurisht që nuk dua të jem kalimtar, por të qëndroj për shumë vite dhe të bëj mirë. Mbi të gjitha mendoj për jetën e përditshme, përpiqem të bëj gjërat e duhura, më të mirën për ekipin. Çfarëdo që të vijë, unë do të jem i lumtur.