Franca barazoi dje 2-2 në Islandë në eliminatoret e Kupës së Botës 2026. Një rezultat që lë kombëtaren e “gjelave” në vendin e parë, por duket se kualifikimi zyrtar do të vijë në nëntor, në dy ndeshjet e fundit në grup.
“Ajo që më zemëron është mënyra se si pësuam golin e dytë“, tha trajneri i Francës, Didier Deschamps. “Kishim kontroll të shkëlqyer të lojës. Islandezët kishin dy gjuajtje në portë dhe dy gola. Nuk bëmë mjaftueshëm në pjesën e parë”, shtoi ai.
“Ishim 2-1 në eprsi dhe ajo që më zemëron është mënyra se si pësuam golin e dytë: ishim të ekspozuar, shumë lart, menjëherë pasi shënuam. Jemi pozicionuar keq në fushë. Ndoshta ishim pak të ngadaltë, por kjo nuk duhet të na ndodhte neve”, tha Deschamps.
Ai pati kritika për ekipin: “Na mungoi iniciativa, si me topin ashtu edhe me lëvizjet tona pa top. Nuk dhamë mjaftueshëm krosime, gjë që ia thashë Florian Thauvin. U frenuam pak, u liruam në pjesën e dytë, për fat të keq duke bërë atë gabim”.
“Shumë mungesa nuk mund të zëvendësohen me një të kërcitur të gishtave, pasi ka lojtarë që kanë luajtur shumë dhe kanë referenca specifike. Më duhet të merrem me lëndimet, siç ndodh shpesh, të gjithë janë në të njëjtën pozicion”, tha Deschamps.
“Ne bëjmë gjithçka për të fituar ndeshje. Cilësia e kundërshtarit ishte gjithashtu një faktor. Këto janë ndeshje të nivelit të lartë; mund të kishim fituar edhe nëse nuk do t’i dominonim”, deklaroi trajneri francez.







