Deschamps shokon PSG: Mbappé? Do të zgjedhë mes Spanjës, Italisë apo Anglisë

6 Mars 2021
12:33
Alfred Lleshi
back button

Qershori 2022 është afati i kontratës aktuale të Kylian Mbappé me PSG, që po afrohet gjithnjë e më shumë. Megjithatë, sulmuesi francez nuk ka vendosur se cila do të jetë e ardhmja e tij. Një zgjedhje që do të duhet të bëhet shpejt, siç konfirmohet nga drejtori sportiv Leonardo (i cili nuk fshehu njëfarë intolerance për këtë ngërç). Sepse, nëse ai nuk pranon rinovimin me klubin parizien, këtë verë do të jetë e pashmangshme shitja e tij, për të evituar largimin falas vitin e ardhshëm.

Trajneri i Francës, Didier Deschamps , gjatë fjalës së tij në programin “Football Show” në BeIN Sports, komentoi situatën: “Është një privilegj që ai është francez. Po ashtu, e shoh me ndikim shumë pozitiv për futbollin francez, PSG dhe Ligue 1. Pastaj, Mbappe do të zgjedhë nëse do të luajë në Spanjë, Itali apo Angli. Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm, që dëshiron të fitojë tituj. Tani është mirë në Paris.

Të gjitha zgjedhjet janë të mira në fillim, pastaj kristalizohen gjërat rrugës. Unë nuk jam këtu për t’iu dhënë këshilla lojtarëve të Francës. Ata kanë tashmë mjaft njerëz përreth, duke menduar për këtë. Sigurisht, unë me kënaqësi e jap mendimin tim, nëse më pyesin. Nëse Kylian do të lëvizë në fund të sezonit apo më vonë? Sinqerisht, unë nuk e di. Do të jetë vendimi i tij dhe i prindërve”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit