Prityej të ishte protagonist në Kampionatin Europian, të linte pas një sezon të përzier me Juventusin, më tepër për paraqitjet sesa për golat, duke pasur parasysh 18 golat mes Serie A (6) dhe Kupës së Italisë (2). Numra deri diku të rëndësishëm, por ndoshta shumë pak për dikë me potencialin e Dushan Vlahovic.
“Euro 2024”, megjithatë, rezultoi të ishte një dështim në nivel personal për sulmuesin, si dhe për të gjithë Serbinë, e eliminuar pas përfundimit të grupit C, në vendin e fundit, me vetëm dy pikë në tri ndeshje.
Në këtë Europian, Dushan Vlahovic zhgënjeu, duke treguar versionin më të keq të vetes: shumë shpesh nervoz dhe pothuajse asnjëherë në qendër të lojës. Aq sa në ndeshjen vendimtare ndaj Danimarkës, trajneri Dragan Stojkovic e futi në fushë vetëm në minutën e 67-të. Por sa do të ndikojë ky dështim europian te Vlahovic? Çfarë sulmuesi do të rigjejë Juventusi kur të kthehet në Itali?
DËSHTIM NË EUROPIAN
I pritur si një nga emrat e mëdhenj të garës, Dushan Vlahovic ka zhgënjyer. Shifrat janë të qarta: 0 gola në tri ndeshjet e Serbisë. Në ndeshjen vendimtare dhe e detyrueshme për t’u fituar kundër Danimarkës, sulmuesi në fjalë e kaloi deri në minutën e 67-të në stol. Një dështim, që nuk kalon pa u vënë re.
Bëri keq (si e gjithë Serbia) në debutimin kundër Anglisë, pastaj Vlahovic nuk pati ndikim as ndaj Sllovenisë. Në të vërtetë, ishte Luka Jovic i Milanit ai që mbajti në këmbë shpresat për kualifikim, duke hyrë në ndeshje në vend të Vlahovic, në minutën e 64-t, dhe shënuar gol në minutën e 95-të për 1-1 përfundimtar. Ndaj Danimarkës, Vlahovic nuk u përfshi në formacionin titullar dhe kur u fut në fushë nuk la gjurmë.
KRIZA NË KOMBËTARE
Një krizë golash me kombëtaren, e cila ka kohë që po vazhdon. Nga janari i vitit 2023 e deri më sot, Dushan Vlahovic, ylli i Serbisë, ka shënuar vetëm tre gola për vendin e tij. Një kundër Lituanisë, më 24 mars 2023, dhe dy gola kundër Malit të Zi, tri ditë më vonë. Të dyja ndeshjet e vlefshme për kualifikimin në “Euro 2024”. Definitivisht, shumë pak.
FAJI I ALLEGRIT
Në sezonin e fundit me fanellën e Juventusit, Dushan Vlahovic shënoi 16 gola në kampionat dhe dy në Kupën e Italisë, duke përfshirë edhe atë vendimtar në finalen kundër Atalantës. Më shumë se golat, serbi ishte në qendër të disa kritikave për mungesën e pjesëmarrjes në manovrën e Juventusit, edhe pse në mbrojtjen e tij shpesh gishti drejtohej nga cilësia e dobët që ofron loja e skuadrës së Allegrit.
Një alibi apo realitet? Duke parë paraqitjet e ofruara me kombëtaren, pistat na bëjnë të mendojmë se është Vlahovic ai që duhet të bëjë një hap të mëtejshëm rritjeje, por sezoni i ardhshëm do të shuajë çdo dyshim.
SEZONI I SË VËRTETËS
“Euro 2024” kthen një Vhahovic tepër zhgënjyes te Juventus, për t’u rigjeneruar. Trajneri Thiago Motta ka treguar tashmë se i rrit cilësitë e qendërsulmuesve të tij (mbi të gjitha Zirkzee) dhe e ka vënë serbin në qendër të projektit bardhezi. Do të jetë në dorën e Vlahovic që të mos dështojë dhe të dëshmojë se e meriton pagën më të lartë që merret te Juventusi. Sezoni i së vërtetës po afron.