Cesare Prandelli analizon futbollin Italian, pak ditë pas debaklit axurr në Kampionatin Europian. I intervistuar nga “Gazzetta dello Sport”, ish-trajneri deklaroi: “Tashmë edhe më parë e kemi gjetur veten në fund të ciklit, pa alternativa reale.
Herë pas here përpiqemi të tregojmë pak optimizëm, por na duhet një projekt. Nuk duhet të jemi krejtësisht negativë me kombëtaren aktuale. Kemi disa lojtarë të mirë, por ata nuk duhet të mendojnë për posedimin dhe sistemin taktik që në moshë të re. Së pari le të formojnë një ekip.
Në vend të kësaj ne rrënjosim te të rinjtë çdo ditë idenë e qasjes nga poshtë-lart, të zotërimit, të dominimit. Unë kisha një ekip fantastik të të rinjve, por ata vuanin si dreq nëse nuk do të kishin dominim.
Për dy muaj m’u desh të punoja për agresivitetin dhe ri-agresionin. Ne po punojmë vetëm në një drejtim. Mjaft me posedimin si qëllim në vetvete. Ne duhet të luajmë lirshëm, duke përfshirë spastrimin, mbrojtjen dhe kundërsulmet. Përndryshe e dëmtojmë talentin”.
Prandelli është mjaft i vendosur për kohën: “Nuk na duhen 10 vite, mjafton gjysma e tyre. Aktorët tanë të futbollit duhet të flasin me njëri-tjetrin dhe të vendosin menjëherë. Liga, FIGC, klubet, të gjithë duhet të angazhohen.
Në kohën time bëmë një propozim që më duket ende i vlefshëm. Nëse pas moshës 21 vjeç lojtarët tanë nuk luajnë në klube, sepse ka shumë të huaj, qoftë edhe modestë, le të mos i lëmë të kalben në stol. Këtu nevojitet ndërhyrja e FIGC.
Le t’i regjistrojë ato lojtarë në Serie B ose C, mjafton të luajnë diku. Kështu do të përfitonte kombëtarja axurre, por edhe vetë klubet. Vetë FIGC duhet të besojë në projekte të tilla dhe të investojë”.