Edhe pse me në krye Claudio Ranieri-n, Roma ka shkëlqyer duke marrë disa fitore rresht në Serie A, 73-vjeçari do ta mbyllë në fund të sezonit kapitullin si trajner i verdhekuqve, të cilët i drejtoi për herë të dytë në karrierën e tij.
Mediat italiane raportojnë se Roma ka zgjedhur Erik ten Hag si trajnerin e ri. Holandezi është parë në tribunë fundjavën e kaluar gjatë ndeshjes Roma-Juventus, aty ku ishte i ftuar nga familja Friedkin, pronarë të klubit. Edhe pse insistohet se ishte një vizitë joformale, mediat vendase janë të sigurta se ishte më shumë sesa thjesht për mirësjellje.
Roma ka përjetuar një sezon të karakterizuar nga paqëndrueshmëri në fushë por edhe në stol, pasi ka ndërruar tre trajnerë këtë sezon dhe tani është në kërkim të një profili me përvojë ndërkombëtare dhe aftësi për të drejtuar një projekt konkurrues.
Zyrtarizimi i Ten Hag në krye të stolit të verdhekuqve pritet të ndodhë javët në vijim. Edhe pse emra si Allegri, Gasperini apo Pioli janë përmendur gjithashtu për të marrë drejtimin e Romës, pronarët e klubit kryeqytetas kanë zgjedhur trajnerin holandez.







