Dimarco humbet dy sfidat ndaj Feynoordit. Emergjencë në të majtë, Inzaghi mendon për 4-4-2

4 Mars 2025
10:00
Alfred Lleshi
back button

“Shqetësim muskulor në fleksorët e kofshës së djathtë”. Ky është rezultati i testeve mjekësore që kreu Federico Dimarco, i cili u detyrua të largohej nga fusha në ndeshjen ndaj Napolit për shkak të një kontraktimi në fleksorët e kofshës së djathtë. “Gjendja e tij do të vlerësohet në ditët në vijim”, – thuhet në deklaratën e klubit zikaltër.

Anësori do të mungojë rreth 20 ditë, duke humbur si ndeshjen e parë, ashtu edhe atë të kthimit kundër Feyenoordit në Ligën e Kampionëve. Në kampin zikaltër shpresojnë ta rikthejnë ish-lojtarin e Veronës për sfidën ndaj Atalantës më 16 mars, por rikuperimi i tij mbetet një sfidë e vështirë. Më i mundshëm duket rikthimi i tij pas pushimit ndërkombëtar (ndeshjeve të kombëtareve në mars).

Në Holandë, përballë një emergjence të madhe në krahun e majtë, me mungesat e Darmian, Carlos Augusto dhe Zalewski për shkak dëmtimi, Simone Inzaghi mund të detyrohet të ndryshojë skemën e Interit, duke kaluar nga formacioni i tij i zakonshëm 3-5-2 në 4-4-2.

Duke qenë se nuk është ndeshja e duhur për eksperimente, trajneri zikaltër po shqyrton të gjitha opsionet për të gjetur një formacion që ofron më shumë siguri. Marrja e një rezultati pozitiv në transfertë është thelbësore për të mbyllur llogaritë në kthimin e “San Siros”.

Në këtë skenar, Dumfries mund të zhvendoset në të majtë, ndërsa në të djathtë të avancojë Pavard ose të luajë Frattesi. Në mesfushë, Barella dhe Calhanoglu, i cili nuk ka dëmtim serioz nga goditja e marrë ndaj Napolit, pritet të jenë titullarë, bashkë me Mkhitaryan.

Nëse Inzaghi vendos për mbrojtjen me katër, atëherë Pavard do të kthehej në rolin e mbrojtësit të djathtë, ndërsa Bastoni do të mbulonte të majtën, me Bisseck dhe De Vrij në qendër. Në mesfushën me katër, Dumfries do të qëndronte në të djathtë, ndërsa në të majtë mund të luante Mkhitaryan ose Zielinski.

Në sulm nuk ka dyshime: Lautaro dhe Thuram do të formojnë dyshen kryesore të ekipit zikaltër.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit