“Djajtë” kanë gati mësymjen, ja pse Juventusi rrezikon ta humbasë Gleison Bremer

28 Mars 2024
8:59
Alfred Lleshi
back button

Juventus rrezikon të humbasë Gleison Bremer. Kështu raporton edicioni i sotëm i “Corriere dello Sport”. Mbrojtësi brazilian është një nga gurët e themelit të skuadrës së Massimiliano Allegrit, por mund të marrë një drejtim tjetër për sezonin e ardhshëm. Qendërmbrojtësi ka bërë 29 paraqitje gjatë sezonit aktual, mes kampionatit dhe Kupës së Italisë, duke shënuar gjithashtu 2 gola, kundër Cagliarit dhe Lecce.

Megjithatë, e ardhmja e tij mund të jetë në dyshim. Ajo që i tremb bardhezinjtë është klauzola e ndërprerjes së marrëveshjes, e specifikuar kur u rinovua kontrata e lojtarit. Bëhet fjalë për 61 milionë euro, por 10% do t’i paguhen Torinos, klubit prej nga erdhi dy vite më parë.

Një shifër që nuk do t’i stepte aspak klubet e Premier League. Sipas tabloidëve anglezë, në fakt, Manchester United është shumë i interesuar për Breimer dhe nuk e ka fare problem të paguajë klauzolën e brazilianit në arkat e “Continassa”.

Largimi i mundshëm i brazilianit do të gjeneronte një fitim të rëndësishëm kapital për Juventusin. Dy vite më parë mbrojtësi erdhi nga “Granatat” për 41 milionë euro. Për momentin nuk ka zhvillime konkrete, por situata mund të evoluojë në çdo moment.

 

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit