“Do të largohem nga Inter-i”, befason Marotta: Ja me çfarë do të merrem

23 Mars 2024
15:26
Denis Hakanaj
back button

Nuk ka dyshim për të ardhmen e tij: Giuseppe Marotta tashmë ka vendosur se çfarë do të bëjë kur të skadojë kontrata që e lidh aktualisht me Interin.

“Kur të mbarojë kontrata ime, do të largohem nga Interi dhe do të kujdesem vetëm për lojtarët e rinj”, këtë e ka zbuluar drejtori ekzekutiv i Interit, Giuseppe Marotta, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Luis Scola, CEO i Pallacanestro Varese.

Siç raporton ‘goal.com’, drejtuesi me përvojë i zikaltërve ka zbuluar se dëshiron t’i përkushtohet lojtarëve të rinj kur t’i skadojë kontrata me klubin milanez.

Një zgjedhje e qartë e nga ish-drejtuesi i Sampdorias dhe Juventusit, sipas të cilit sektori i të rinjve përfaqëson “asetin më të madh të një klubi”, veçanërisht “nga pikëpamja njerëzore”.

Marotta, në fakt, thotë se është gjithnjë e më i bindur për faktin se “të bësh të rinjtë të paguajnë për sportin është e gabuar”.

Praktikimi i aktiviteteve sportive për të rinjtë, në fakt, “duhet të jetë falas”, pasi në këtë mënyrë “do të mund të përfshiheshin edhe familjet e varfra, ato në të cilat fshihen kampionët, si dikur”.

Kështu gjatë fjalës së tij, Giuseppe Marotta bëri të ditur vendimin e tij për të ardhmen, kur i skadon kontrata që e lidh me Interin.

Më tej, ai theksoi ato që, sipas tij, përfaqësojnë pikat kyçe për arritjen e rezultateve: “Duhen aftësi, por edhe struktura”, d.m.th. “ambientet dhe qendrat e trajnimit”.

Pa këta përbërës, sipas Marotta-s “asgjë nuk arrihet, por edhe nga ky këndvështrim në Itali vuajmë mungesën e ndjeshmërisë politike ndaj sportit”.

Por jo vetëm. Sipas Marotta-s ka edhe “mangësi në botën e shkollave”, duke përmendur shembullin e Holandës ku “shkollat ​​e Ajax-it dhe të Amsterdamit ndajnë detyrën e stërvitjes së fëmijëve”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit