Dorëzohet Mercedes, Wolff: Besoj se do të jemi sërish shumë konkurrues vitin 2026

27 Mars 2024
9:36
Telesport
back button

Mercedesi aktual nuk i jep kënaqësi të madhe Toto Wolff. Pas dy sezoneve të pakënaqur, W15 duhet të ishte pika e kthesës për ekipin që dominoi deri në vitin 2020. Në vend të kësaj, ajo që dukej si një hap përpara u shndërrua në një hap prapa, pasi Mercedes humbi terren jo vetëm ndaj Red Bull, por edhe karshi Ferrari e McLaren.

Wolff pranoi se do t’i kishte dhënë vetes “një grusht në hundë” për gabimet e bëra në vitet e fundit dhe tani flet hapur për vitin 2026, vitin e revolucionit: “Natyrisht, viti 2026 mund të jetë një pikë kthese e madhe dhe ndonjëherë kërkon pak kohë. Kur Michael Schumacher u transferua nga Benetton te Ferrari, u deshën katër sezone para se të fitonte titullin e tij të parë. Por ishte një nga arsyet pse Ferrari u rindërtua”.

Kur filloi epoka e motorëve hibridë në vitin 2014, ne demonstruam se sa konkurrues mund të jemi në atë fushë. Tani, duke parë nga brenda zhvillimet drejt vitit 2026, besoj se do të jemi sërish shumë konkurrues. Por vetëm motori nuk mjafton, duhet të ndërtojmë edhe një shasi të mirë. Dhe keni një dyshe të mirë pilotësh. Kam besim se do të kthehemi sërish në majën absolute”, tha Toto Wolff.

Ne e dimë se çfarë duhet të ndryshojmë për ta bërë makinën të sillet më mirë në kthesat e shpejta, për shembull. Por nëse e bëjmë këtë, ne ende humbim kohë në seksionet e ngadalta. Shkurtimisht, ne nuk kemi gjetur ende një zgjidhje që na lejon të arrijmë një kohë më të mirë të xhiros”, tha Wolff.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit