Drejt Inter-Leipzig, flet Inzaghi: Të mos e ulim ritmin, shpresoj të bëj histori me këtë klub

26 Nëntor 2024
8:38
Alfred Lleshi
back button

Interi rikthehet të ndjejë ajrin e Champions League, pas fitores së thellë në “Bentegodi” kundër Veronës. Pas kësaj fitoreje të rëndësishme në kampionat, lojtarët e Simone Inzaghit po përgatiten për të mirëpritur në “San Siro” ekipin e Leipzig, me synimin për të mos e humbur hapin me pozicionet e larta në grupin unik të Champions League.

Ndeshja e pestë kundër gjermanëve, që ende nuk kanë marrë asnjë pikë, mund të duket e lehtë për zikaltrit, por ata nuk duan dhe nuk mund ta nënvlerësojnë kundërshtarin. Inzaghi e di këtë shumë mirë: “Leipzig është një ekip cilësor, në 4 ndeshjet e luajtura në Champions meritonte më shumë. Gjermanët kanë lojtarë të shkëlqyer dhe renditja e tyre nuk pasqyron mënyrën se si kanë luajtur. E dimë që do të përballemi me një skuadër të fortë”.

Në lidhje me formacionin, ka disa dyshime: “Frattesi ka një problem në kyçin e këmbës, mes Bisseck dhe Bastoni do të shoh cilin të aktivizoj. Taremi e dinte që duke ardhur tek Interi do të kishte konkurrencë më të madhe, duhet të vazhdojë të punojë siç po bën”.

Interi, skuadra më e mirë në botë sipas statistikave: “Një statistikë që të bën të ndihesh mirë, por gjithsesi është vetëm një statistikë. Ne punojmë për të fituar dhe për t’i dhënë kënaqësi klubit e tifozëve. Duhet të vazhdojmë të punojmë”.

Si duhet ngritur akoma më lart niveli: “Duhet të punojmë gjithmonë më shumë, veçanërisht në momentet pozitive, për të shtyrë përpara dhe për t’u përmirësuar më tej. Kërkojmë të shohim ku mund të bëjmë më mirë. Të dielën shënuam 5 gola në pjesën e parë, por patën shpërqendrime që mund të na kushtonin shtrenjtë. Sezoni i kaluar ishte një gjë, ndërsa ky aktuali është plot me sfida”.

Pritshmëritë që ka nga Leipzig: “Prej 6 vitesh ata luajnë në Champions, në Bundesligë kanë një nga mbrojtjet më të mira. Është një ekip cilësor, në 4 ndeshjet e Champions ka merituar më shumë”.

Çështja e arbitrave: “Duhet të ndihmojmë dhe të ndihmohemi, ndonjëherë për shkak të adrenalinës dal nga zona teknike. Të gjithë duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin, duke përfshirë edhe arbitrat”.

Bindja për t’i shkuar Champions-it deri në fund: “Kjo është dëshira, e dimë që edhe ekipet e tjera kanë të njëjtin qëllim. Kemi bërë 4 ndeshje të mira, por na presin edhe 4 të tjera ku duhet të marrim pikë. Do të përballemi me dy ekipet gjermane që kanë bërë mirë për vite me radhë dhe dy ndeshjet e fundit i kemi në janar. Duhet të vazhdojmë rrugën duke parë drejt Leipzig, pa menduar për kampionatin”.

Gjendja e Çalhanoglu dhe Frattesi: “Frattesi ka një problem prej 10 ditësh, nuk ndihet rehat, sepse nuk është në formën më të mirë. Është lojtar i rëndësishëm dhe vendimtar, shpresojmë të rikuperohet shpejt. Hakan bëri stërvitje të mirë, por të martën do të vendos për formacionin. Acerbi pati një kontraktim muskulor, nuk ka dëmtim, shohim mos e rikuperojmë për të dielën”.

Gjendja e fushës: “Fusha kundër Napolit nuk ishte në maksimum, të dyja skuadrat u ankuan. Në këtë periudhë, fusha është gjithmonë një sfidë, nga gjysma e dytë e nëntorit deri në dhjetor. Çdo vit situata është kështu. Besojmë që në janar fusha do të riparohet si gjithmonë”.

Rreth Bisseck: “E ka merituar hapësirën që ka marrë me punë. Erdhi nga një kampionat tjetër, ishte i aftë të kuptonte menjëherë çfarë i kërkonim, ishte shumë i shpejtë në të mësuarit e gjuhës. Po përmirësohet vazhdimisht dhe jam i kënaqur me të”.

Zgjedhja midis Bisseck dhe Bastoni, si dhe situata e Taremit: “Bisseck mund të luajë në të majtë, por mendoj se Bastoni ka energjitë për të luajtur edhe sot. Të dy mund ta zëvendësojnë Acerbin, por mendoj se Alessandro ka më shumë shanse për shkak të eksperiencës së tij, edhe në kombëtare. Taremi është një profesionist i dashur nga i gjithë grupi. Ai e dinte që duke ardhur tek Interi do të kishte konkurrencë më të madhe. Duhet të vazhdojë të punojë fort, siç po bën”.

Një nga trajnerët më të mirë në botë: “Kam pasur fatin të jem në një klub të rëndësishëm dhe të gjej një grup djemsh me talent, që gjithmonë më kanë mbështetur. Jam i vetëdijshëm për kritikat që mund të vijnë për formacionet ose zëvendësimet e gabuara, por duhet t’i pranosh si pjesë e lojës. Shpresoj vetëm të vazhdoj të bëj histori me këtë klub”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit