Drejtori i Milanit: Provuam të merrnim Vinicius dhe Bellingham, por s’mund të konkurrosh me Real Madridin

23 Dhjetor 2024
8:56
Alfred Lleshi
back button

Edhe Geoffrey Moncada, drejtori teknik i Milanit, foli gjatë një eventi në Universitetin e Harvardit kushtuar rastit të klubit kuqezi: “Drejtori teknik është lidhja mes trajnerit, lojtarëve dhe pjesës tjetër të aspektit sportiv, nga njëra anë, si dhe aspektit komercial, nga ana tjetër. I raportoj Giorgios dhe flas me të çdo ditë, disa herë në ditë.

Mundohem të ndaj sa më shumë informacione të jetë e mundur. Si janë lojtarët? Çfarë na nevojitet për të ardhmen? Cilat kontrata duhet të ndryshojmë? Çfarë mund të përmirësojmë në departamentin mjekësor apo në sektorin e të rinjve? Kemi një ekip prej dhjetë skautësh që punojnë me ne: pesë janë në Itali dhe pesë jashtë saj. Kemi shkencëtarë të të dhënave në ‘Casa Milan’, që na ndihmojnë të gjejmë lojtarë duke përdorur të dhënat”.

Për telefonatat me Billy Beane çdo të hënë: “Na bën pyetje, na jep ide dhe na ndihmon të gjejmë lojtarë të mirë përmes të dhënave të ‘Zelus’ (kompania e analizës së të dhënave të lojtarëve), por vendimi përfundimtar për një lojtar nuk bazohet kurrë vetëm te shifrat”.

Për profilet ideale të Milanit dhe shembullin e Reijnders: “Po marrim rreziqe të llogaritura me lojtarë të rinj në vend që të blejmë emra të mëdhenj me paga të larta. Ndoshta nuk do të kesh sukses të menjëhershëm në këtë mënyrë, por ndërton për afatgjatë. Reijnders luante në kampionatin holandez dhe ne ishim të vetmit që u fokusuam tek ai. Pyes veten: është një lojtar i shkëlqyer, pse askush nuk e do? Arritëm ta merrnim me një çmim të shkëlqyer. Tani është titullar për ne dhe luan me kombëtaren e tij”.

Për profilet e tjera që nuk u realizuan: “Provuam të nënshkruanim me (atëherë) 17-vjeçarin Vinicius Jr. dhe (atëherë) 20-vjeçarin Jude Bellingham, por nuk mund të konkurronim me Real Madridin. Duhet ta pranojmë këtë. Vitet e fundit kemi sjellë lojtarë të shkëlqyer në klub. Si ish-skaut e shoh sfidë personale qëllimin për të marrë lojtarë të nënvlerësuar dhe për t’i bërë ata të performojnë në nivelin më të lartë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit