Enric Masip, këshilltar presidencial dhe anëtar i Komisionit Sportiv të Barcelonës, konfirmoi në një intervistë për “El Chiringuito” ofertën prej më shumë se 200 milionë eurosh, të mbërritur për xhevahirin Lamine Yamal: “Presidenti tha tashmë se kishte një ofertë prej 200 milionë euro, që e refuzoi, sepse nuk e mori parasysh kurrë. Oferta vinte nga Franca”.
Kur u pyet nëse Lamine ishte zëvendësuesi i përsosur i Kylian Mbappe te parizienët, Masip buzëqeshi dhe pohoi me kokë: “Epo, kur keni para pa limit, mund të shpresoni se blihet gjithçka”.
Ndikimi i Lamine Yamal, edhe pse në moshën 17-vjeçare, e bën talentin e dalë nga “La Masia” të paprekshëm te Barcelona: “Është futbollisti më vendimtar që ekziston sot për sot. Unë do të thoja se për momentin është lojtari më me ndikim. Le të shohim si do të shkojnë gjërat… Duke folur për një djalë 17-vjeçar si më i miri në botë, mendoj se nuk është pozitive për të. Për ne, po. Të mendojmë se kemi më të mirin në botë është vërtet bukur”.
Për shkak të evidentimit të tij në elitën e futbollit qysh adoleshent, Masip e konsideron si të pashmangshëm krahasimin me Leo Messin: “Po, dhe kështu do të jetë, sepse djaloshi i ri nuk të lë askënd indiferent. Dua të them se çdo ndeshje, ai bën diçka që të lë pa fjalë. Është privilegj për La Liga-n dhe Barçën që ta kenë një lojtar të tillë”.