Duka dhe Sylvinho, pas shortit: Grup shumë i vështirë, por asgjë nuk është e pamundur

13 Dhjetor 2024
14:01
Alfred Lleshi
back button

Short mjaft i vështirë për kombëtaren tonë kuqezi, ai i hedhur sot në Nyon të Zvicrës për kualifikueset e Botërotrit 2026. I vështirë dhe delikat në të dyja drejtimet: sportiv dhe politik. Të kesh Anglinë në grup, do të thotë të mos e llogaritësh vendin e parë, por edhe serbët nuk të lënë shumë të shpresosh te vendi i dytë, duke llogaritur këtu tensionin e madh të kësaj përballjeje, referuar aspekteve politike dhe diplomatike.

Mjafton të kujtojmë këtu 4 tetorin 2014, atë që ndodhi në ndeshjen e ndërprerë në Beograd; dronin e Ismail Morinës dhe dhunën e shfrenuar ndaj lojtarëve tanë në fushësn e lojës. Me siguri, ato skena i kanë kapluar mendjen Armand Dukës kur gogla tregoi Serbinë, gjë që u pasqyrua qartë në fytyrën e vrenjtur të tij. Kreu i FSHF-së, duke komentuar verdiktin e goglave në Nyon, u shpreh:

“Nuk jam shumë i kënaqur me shortin, pasi goglat mund të na kishin rezervuar një fat më të mirë. Realisht ky ishte grupi që nuk doja. Anglinë nuk e doja, sepse është një kundërshtar shumë i vështirë. Serbia është një kundërshtar me problemet e veta. Nuk kemi eksperienca pozitive në përballjet me ta. Uroj që kësaj radhe të jetë ndryshe dhe të mendojmë vetëm për sportin.

Nuk ishte një short i mirë, por duhet të fillojmë të mendojmë për ndeshjet. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të luftojmë për një biletë në Botëror. Asgjë nuk është e pamundur”.

Nag ana e tij, trajneri Sylvinho e komentoi kështu grupin e Shqipërisë në kualifikueset e Botërorit 2026: “E dinim që do të ishte e vështirë. Për ne çdo ndeshje do të jetë si finale. Kemi një ëndërr, duam që të shkojmë përpara.

Përballja me Serbinë? Do të jetë një ndeshje si gjithë të tjerat. E dimë historinë, por ne jemi profesionistë dhe mendojmë vetëm për futbollin. Jemi për të luajtur futboll dhe mendojmë vetëm për futbollin.

Nuk është e lehtë që të bësh llogari. Ne duhet të grumbullojmë sa më shumë pikë që të jetë e mundur, më shumë se kundërshtarët, që të mund të kualifikohemi”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit