Duka, krenar me kombëtaren kuqezi: Imagjinoni, Haaland jashtë dhe Cikalleshi në Europian…

22 Nëntor 2023
12:16
Alfred Lleshi
back button

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka dhe trajneri i ekipit kombëtar, Sylvinho, kanë dhënë një intervistë për emisionin “Opinion” në televizionin “Klan”, ku kanë folur gjatë për sukseset e arritura të kuqezinjve, kualifikimin në Europianin “Gjermani 2024” dhe vendi i parë në grupin E.

Presidenti Duka theksoi se ky ishte edicioni më i mirë kualifikues për kombëtaren, ndërsa deklaroi se kanë nisur përgatitjet për Europianin. Përsa i përket shortit, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar tha se do të dëshironte të përballej me Gjermaninë për të qenë edhe sfida hapëse e Europianit.

Barazimi me Ishujt Faroe – “Ky ka qenë edicioni më i mirë që ka bërë kombëtarja shqiptare, uroj që të kemi stabilitet në të ardhmen. Ka qenë më i mirë me rezultatet, me performancë, me gola të bukur, me spektakël në shkallët e stadiumit dhe me mbështetje fantastike nga tifozët. Do të ishte shumë mirë nëse do kishte edhe një fund të lumtur në sfidën e fundit, por duke qenë se ekipi e siguroi kualifikimin në Moldavi, nuk ka hyrë me mentalitetin e duhur, me impenjimin e duhur, sepse nuk ka skuadra të dobëta.

E kanë menduar  të lehtë ndeshjen me Ishujt Faroe dhe me një këmbë në festë, me mendjen totale në festë nuk arritën të shënonin. Nuk mund të them nënvlerësim, por vetë ndjesia e brendshme, më shumë mendon për festën dhe kualifikimin, e mendon shumë të lehtë atë ndeshje. Në mënyrë profesionale duhej ta vlerësonim maksimalisht atë ndeshje dhe ta kishim mbyllur me një fitore. Megjithatë për mua nuk është se e zbeh atë sukses të jashtëzakonshëm të ekipit kombëtar, vendi i parë në grup, madje me shaka diskutonim me misterin… Haaland jashtë dhe Cikalleshi në Europian, kështu që nuk është pak”.

Ndjesia e parë, kur besuat se do të shkonim në Europian -“Nuk është se themi kot kemi talente, kemi futbollistë shumë të mirë, duke pasur një kontigjent të tillë padyshim që objektivi është të shkosh në një kompeticion madhor si Europiani. Që kur kemi bërë marrëveshjen me trajnerin Sylvinho dhe kur jemi takuar për herë të parë në Milano për të biseduar rreth këtij projekti, objektivi kryesor ka qenë për të shkuar në Europian.

Duke pasur parasysh këtë skuadër, ndryshimin e kushteve në përgjithësi, objektivi ka qenë gjithmonë Europiani, por dihet që gjithmonë objektivi jo në 100% të rasteve realizohet, padyshim që duhet të prisnim shortin dhe me kë do luanim. Nëse do kthehemi në kohë kush ishin objektivat realë ose llogaritë reale që ne bënim, ishte që në dy ndeshjet e fundit të ishin në garë, të luanim në dy ndeshjet e fundit për të qenë një nga skuadrat fituese, e para ose e dyti, me mendimin më shumë për vendin e dytë.

Realisht bëmë akoma më shumë. Nuk e mendonim kurrë. Ne kemi marrë nga katër pikë kundër gjithë skuadrave të grupit, përveç Polonisë, që kemi marrë tri pikë. Nuk kemi menduar që do shkonin kaq mirë 80% e ndeshjeve, sepse realisht, të paktën në mendimin tim, dy ndeshjet e fundit kurrë nuk e kam menduar që do marrim dy pikë, kam menduar minimumi katër pikë. Prandaj dhe futbolli është i bukur, se nuk është shkencë ekzakte, kurrë nuk mund ta parashikosh.

Nuk ishte një objektiv i parealizueshëm, duke parë përbërjen e skuadrës, janë 7-8 futbollistë që aktivizohen në Seria A, futbollistë që aktivizohen në La Liga apo në ligën e parë turke, apo edhe Broja në Angli, që është një nga kampionatet më të forta të botës, pavarësisht se Broja nuk ka pasur mundësi që të kontribuojë. Nuk ka pasur në asnjë rast mosmarrëveshje me Brojën. Është një talent që nuk  na vjen shpesh dhe ne nuk kemi luksin që ta humbim.

Vendi i parë në grup dhe të kualifikohesh në ndeshjen e parafaundit është me të vërtetë një rezultat shumë i mirë. Duke qenë që ne na mungojnë gjërat shumë të mira dhe mundësitë për të shpalosur ndjenjën kombëtare dhe krenarinë tonë na bën që të jemi akoma më të interesuar. Kjo e bëri edhe mbrëmjen ndaj Ishujve Faroe pak zhgënyese, sepse pritshmëritë ishin shumë të mëdha.

Tifozët janë për t’u falenderuar pasi në çdo rast e kanë mbështetur ekipin kombëtar, jo vetëm në Shqipëri por edhe jashtë. Kur ishim në Moldavi, moldavët thanë që asnjëherë më parë nuk kanë pasur kaq shumë tifozë miq. Të gjithë janë për t’u falenderuar në këtë edicion fantastik të ekipit kombëtar.

Të parët janë futbollistët, nuk është i lehtë kualifikimi në Europian. Ne kemi futbollistë të mirë, që luajnë në nivele të larta, por kryesorja është që të krijosh një skuadër. Janë për t’u falenderuar ata dhe trajneri, bashkë me stafin. Mund të kesh vërtët individë, por nëse nuk bën një skuadër, e cila funksionon si një e vetme, bashkë me administratorët dhe drejtuesit teknikë, nuk arrin rezultate pozitive“.

Shorti dhe kundërshtarët e mundshëm – “Shorti do të hidhet ditën e shtunë, më 2 dhjetor në Hamburg. Ka kohë që i kemi filluar përgatitjet edhe për akomodimin, pasi rruga ishte drejt kualifikimit. Gjermaninë e kemi ndarë në tri rajone, nga katër hotele për çdo rajon. Shumë shpejt do ta ngushtojmë rrethin me nga një hotel për çdo rajon. Ndërsa dy ditë pas shortit do të shkojmë të vizitojmë hotelet dhe të vendosim.

Të gjitha hotelet kanë kushtet e domosdoshme të stërvitjes dhe të gjitha, çfarë i duhet një ekipi futbolli për t’u përgatitur. Ekipi kombëtar do të grumbullohet në varësi të përfundimeve të kampionatit. Besoj se do të grumbullohemi 10 -12 ditë përpara, do të vendosim bashkë me trajnerin dhe stafin se ku do të jetë më e përshtatshme, në Shqipëri apo diku tjetër.

Dy ditë para se të nisë Europiani do të duhet të transferohemi në Gjermani, për të luajtur ndeshjet. Uroj që futbollistët t’i kemi me shëndet të plotë dhe të mos kemi dëmtime. Në mars kemi të programuar dy ndeshje miqësore, nuk i kemi përcaktuar kundërshtarët akoma, do të presim edhe shortin për të vendosur.

Pastaj, para Europianit do të zhvillojmë edhe dy ose tri miqësore të tjera. Ekipet janë të ndara në katër vazo. Shqipëria është në vazon e dytë dhe do të kemi kundërshtarë nga një nga çdo vazo, nga e para, e treta dhe e katërta. Aty nuk ka asnjë skuadër të dobët. Nëse do të nisemi me vlerësimin e skuadrave për nga historia, Shqipëria mund të konsiderohet me më pak rezultate. Nga skuadrat e vazos së parë më pëlqen të luajmë ndaj Gjermanisë.

Jo vetëm që bëjmë ndeshjen hapëse, por mund të luajmë më mirë futboll kundër Gjermanisë pasi nuk më duket në momentin më të mirë. Gjithsesi janë të gjitha skuadra shumë të forta. E ke të vështirë t’i zgjedhësh dhe me dorë, kështu që çfarëdo që të sjellë shorti. Nëse do t’i zgjidhje me dorë, unë do të preferoja Gjermaninë tek vazo e parë, ndërsa në vazot e tjera Slloveninë ose Serbinë. Do të doja të shmangnim Italinë, pasi është një skuadë shumë e fortë dhe me traditë. Me Rumaninë kemi fituar njëherë në Europian dhe pse mos të fitojmë sërish“.

Talentet e reja drejt ekipit kombëtar – “Kemi lojtarë të mirë, që mund të jenë kandidatë, nuk mund të them gati për të luajtur me ekipin e parë, por që luajnë në U-21. Ka disa futbollistë të tjerë në Europë, që janë pothuajse me një këmbë në ekipin kombëtar, siç është Çuni, që trajneri e ftoi për ndeshjen kundër Bullgarisë dhe pati disa minuta aktivizim. Ka lojtarë të tjerë në Itali, në Gjermani, që presim të bashkohen me ne.

Çuni bëri një gol shumë të bukur në ndeshjen e parafundit kundër Berishës dhe Ismajlit. Ka dhe futbollistë të tjerë, që luajnë për moshat e Italisë apo Gjermanisë, që mund të vendosin të kthehen te ne. Nuk e di, është zgjedhja e tyre, ne i kemi kontaktuar dhe vazhdojmë t‘i kontaktojmë. Është Gruda që luan me Mainz, luan për kombëtaren e Gjermanisë. Eshtë Hasa, që luan për kombëtaren e Italisë, është një tjetër që luan me Atalantën, edhe ai garon për kombëtaren e Italisë, të moshave.

Realisht, kanë luajtur për ne, kanë vazhduar me Italinë dhe mund të rikthehen. Janë talente të mira, ka edhe futbollistë që janë në ekipin U-21, kemi disa. Shpendi që luan me Empoli, një sulmues shumë i mirë. Berisha, që luan te Lecce. Fatkeqësisht është në të njëjtin pozicion me Ramadanin dhe duhet të mos luajë Ramadani, që të luajë edhe ai në ekip. Kemi goxha futbollistë.

Patjetër që ka ndikuar pozitivisht kualifikimi në Europian,  duke parë jo vetëm rezultatin, por edhe kushtet e krijuara sot në Shqipëri, sepse shkëmbejnë informacione me njëri-tjetrin me futbollistët që janë këtu për kushtet që ato kanë në stërvitje, akomodim e të tjera me radhë. Edhe rezultati është shumë i rëndësishëm, një faktor pozitiv për t’i bërë që të vendosin. Padyshim që zemra iu thotë Shqipëri, shto edhe këto faktorë. Prindërit e futbollistëve në përgjithësi vendosin për Shqipërinë“.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit