Duka “pushton” mediat italiane: Asllani meriton më tepër hapësirë tek Interi, Ramadani mund të luajë me çdo klub në botë

24 Nëntor 2023
11:54
Alfred Lleshi
back button

15 pikë nga 4 fitore, 3 barazime dhe vetëm një humbje. Shqipëria hyri nga dera kryesore në Europianin 2024, duke i paraprirë Çekisë në fund të një rrugëtimi që tashmë ka hyrë në historinë e kësaj kombëtareje. Ndaj, pas pjesëmarrjes së parë në kampionatin kontinental në vitin 2016, Asllani dhe bashkëlojtarët e tij kanë mundësinë të provojnë sërish vitin e ardhshëm në Gjermani.

Presidenti i FSHF, Armand Duka, ka folur ekskluzivisht për “SPORTITALIA” mbi rritjen e lëvizjes futbollistike në vendin e tij dhe lojtarët e shumtë që luajnë në Itali, nga Serie A deri te kategoritë e ulëta.

Përparimi i Shqipërisë ka qenë emocionues në këto kualifikuese. Sa jeni të kënaqur?

Jam shumë i lumtur në këtë moment, që kemi marrë vendin e parë në grup dhe pozicionin në vazon e dytë të shortit, por jo vetëm për atë që kemi bërë vitet e fundit. Kombëtarja shqiptare ka thyer të gjitha rekordet në kualifikimet për Kampionatin Evropian. Në një grup prej 5 skuadrash jemi të parët në renditje me 15 pikë, duke lënë pas Çekinë, ndërsa Polonia, gjithashtu një pretendente shumë e fortë, u përjashtua nga faza finale, ashtu si edhe Moldavia që luftoi fort deri në momentin e fundit. Kjo ishte, le të themi, faza e parë e punës sonë, tani fillon një fazë tjetër, edhe më e vështirë se e para.

Cilat janë synimet e radhës?

Nëse në vitin 2016, kur Shqipëria u kualifikua për herë të parë, nuk shkuam shumë larg, duke u eliminuar në fazën e grupeve, tani kemi të gjitha shanset për të bërë edhe më mirë. Kemi mësuar disa gjëra nga hera e parë në ‘Francë 2016’ dhe jemi të bindur se do të bëjmë më mirë.

Deri ku mund të shkoni në Kampionatin Evropian?

Është e vështirë të imagjinohet se deri ku mund të arrijmë; gjithçka varet edhe nga shorti i 2 dhjetorit, se cilat skuadra do të kemi në grup. Natyrisht do të luftojmë kundër çdo rivali që na ofron ky short. Qëllimi ynë është të qëndrojmë në garë për sa më gjatë në Gjermani.

Ka shumë shqiptarë në Itali, sa është rritur kombëtarja falë kësaj?

Po, është e vërtetë që në Itali luajnë shumë lojtarë shqiptarë. Janë mbi 10 mijë të tillë, luajnë në të gjitha nivelet e kampionatit italian, nga U-7 deri në Serie A. Është rezultat i punës së mrekullueshme që është bërë edhe nga departamenti ynë i skautizmit, duke gjetur këta elementë jo vetëm në Itali, por në mbarë botën. Vetëm në kombëtaren A, në këto eliminatore u thirrën 11 lojtarë që luajnë në Itali dhe në shumicën e ndeshjeve, 6-7 prej tyre ishin titullarë.

Titullarë dhe vendimtarë…

Sigurisht që ata janë lojtarë kyç në skuadër, na ndihmuan shumë për të ecur përpara dhe për të marrë këto rezultate. Janë lojtarë cilësorë, do t’i konsideroja yje pa më të voglin dyshim, që luajnë në ekipe të mëdha: Asllani tek Interi, Djimsiti tek Atalanta, Hysaj te Lazio, Bajrami te Sassuolo, Ramadani te Lecce, Berisha dhe Ismajli tek Empoli. Jemi me fat që i kemi në kombëtaren tonë, ashtu si lojtarët e tjerë që luajnë në liga të tjera. Forca është pikërisht grupi dhe jo individi. Por nuk do të doja të ndalesha vetëm te ekipi A…

Ju lutem, sqarohuni…

Kemi shumë lojtarë të tjerë shqiptarë që aktualisht luajnë me kombëtaren nën 21 vjeç dhe me ekipet e kategorisë së të rinjve, të cilët padyshim presin që një ditë të luajnë me ekipin A. Këtu përmend Medon Berishën që luan me Ramadanin te Lecce dhe lë përshtypje pozitive sa herë luan me ekipin, por edhe vëllezërit Shpendi, njëri tek Empoli me Ismajlin e Berishën dhe tjetri te Cesena. Në fakt kampionati juaj është plot me yje shqiptarë (qesh).

A keni folur edhe me Kumbulën gjatë rikuperimit?

Marash është një nga lojtarët më të rëndësishëm në ekipin tonë. Një lojtar i veçantë, me cilësi të jashtëzakonshme, jo më kot është edhe ai pjesë e Romës. Por mbi të gjitha është një djalë i jashtëzakonshëm, i sjellshëm dhe i disiplinuar. Fatkeqësisht për shkak të një dëmtim ai u detyrua të qëndrojë jashtë fushës, ndërsa tani po rikuperohet dhe shpresoj ta shoh në fushë me Romën dhe kombëtaren sa më shpejt të jetë e mundur.

A i keni thënë që e prisni në kombëtare?

Natyrisht që jo vetëm Kumbulla është i mirëpritur, por me të janë të gjithë lojtarët që janë pjesë e kombëtares shqiptare. Megjithatë, personalisht jam në komunikim të vazhdueshëm me të për ta inkurajuar në rikthimin e tij në fushë.

Asllani luan shumë mirë në kombëtare…

Kristjan është një tjetër xhevahir i yni, jemi me fat që e kemi. Është një lojtar me potencial të jashtëzakonshëm. Mënyra se si u përfshi në kombëtare nuk më habit aspak, ka cilësi të mëdha si lojtar për të arritur majat. Ai ka aftësi të larta teknike, karakter të fortë dhe vendosmëri të duhur. Sidomos në këtë sezon është përmirësuar shumë.

A do ta këshillonit të huazohej, apo të rritet ende te zikaltrit?

Natyrisht që unë do të doja që Kristjan të luante më shumë minuta me Interin dhe mendoj se koha e tij tashmë ka ardhur te zikaltrit. Ai meriton të ketë më shumë kohë në dispozicion, me karakteristikat që ka si lojtar. Megjithatë, deri para disa muajsh mendoja se ishte më mirë për të që të largohej nga Interi për të pasur më shumë hapësirë, por tani duke parë rritjen e tij mendoj se duhet të vazhdojë dhe të përmirësohet atje. Shumë shpejt ai do të jetë një lojtar i rëndësishëm për Interin, ashtu siç është për ekipin kombëtar.

Ramadani është një talent i ri që po “shenjtërohet: në Itali…

Ramadani i ka befasuar të gjithë në fillim të sezonit, por jo mua, që e njoh shumë mirë potencialin e tij si lojtar. Vlerat e tij janë të padiskutueshme dhe këtë po e demonstron jo vetëm me Lecce, por edhe në kombëtaren shqiptare. Ai punon shumë dhe gjithmonë jep gjithçka në fushë.

Ai tha se do të donte Interin, çfarë mendoni?

Personalisht, duke ditur cilësitë dhe ambiciet e tij si lojtar, mendoj se është gati për çdo klub në botë. Do të ishte krenari e madhe për ne të shohim dy shqiptarë që luajnë në radhët e një klubi të madh dhe historik si Interi.

Marvin Cuni u shfaq menjëherë për Frosinone me një gol me takë. A mendoni se është i destinuar për një ekip të madh në të ardhmen, pasi është rritur te Bayern Munich?

Marvin është sulmuesi i së ardhmes, një futbollist i cili është rritur në një nga akademitë më të mira të futbollit në botë si Bayern Munich. Ai ka hapësirën e tij te Frosinone dhe po ecën mjaft mirë. Mendoj se për momentin duhet të fokusohet tek ekipi aktual dhe të rritet si futbollist. Jam i bindur se do të shpërthejë në të ardhmen. I uroj që gjithçka të shkojë mirë dhe të bëjë karrierë shumë shpejt. Sylvinho është ai që vendos kë të thërrasë, por Cuni është gati dhe mund ta ndihmojë shumë kombëtaren në ‘Euro 2024’.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit