Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka dhënë një intervistë të gjatë për “Sportitalia”, në të cilën ka folur për performancën e kombëtares kuqezi: “Treguam disa paraqitje të mira në këtë Kampionat Europian, për të cilin duhet të krenohemi, pavarësisht se kemi qenë në të ashtuquajturin ‘grup i ferrit’. Dua t’i falënderoj të gjithë lojtarët që kontribuan në fushatën kualifikuese dhe ata që morën pjesë në finalet e kompeticionit. Mendoj se luajtëm mirë në të tria ndeshjet e grupit B, por nuk jam i kënaqur me rezultatet, nisur nga fakti se mund të kishim arritur më shumë”.
Vërtet besoni se mund ta kalonit grupin?
Kundër Italisë, Kroacisë dhe Spanjës krijuam mundësi shënimi, mund të merrnim më shumë pike. Sidoqoftë, ishim në garë për t’u kualifikuar deri në ndeshjen e fundit. Mund ta kalonim grupin me pak më shumë vëmendje dhe inteligjencë, por përvoja është shumë e vlefshme në këtë nivel për të menaxhuar situatat ku presioni është shumë i lartë. Nuk dua të harroj tifozët shqiptarë, të cilët ishin fantastikë gjatë ‘Euro 2024’, duke mbështetur kombëtaren e tyre pa u kursyer. U sollën shkëlqyer në këtë Kampionat Europian, edhe jashtë stadiumeve.
A do të qëndrojë Sylvinho?
Kontrata e trajnerit përfundoi pas Kampionatit Europian, por tashmë i kemi propozuar rinovimin që nga janari. Mendoj se do ta finalizojmë së shpejti, duam të vazhdojmë bashkëpunimin. Sylvinho shkoi me pushime për disa ditë dhe javën e ardhshme do të takohemi përsëri për ta diskutuar këtë temë dhe vazhduar punën.
Çfarë mund të na thoni për Europianin e Asllanit?
Për mua ishte padyshim lojtari më i mirë i kombëtares shqiptare në Kampionatin Europian. Ai u tregua një nga elementët kyç të ekipit, mori drejtimin e lojës si të ishte një veteran me përvojë. Asllani është një nga talentet më premtuese të Shqipërisë. Ai ka potencial të jashtëzakonshëm, hapësira të mëdha për përmirësim. Nuk i mungojnë cilësitë teknike, vizioni i lojës dhe ambicia për t’u bërë një lojtar i madh. Është ende i ri dhe i ka të gjitha mundësitë për t’u bërë lideri i kombëtares shqiptare.
A do ta rekomandonit Brojën te Milani?
Armando është padyshim një nga talentet më të mëdhenj në të gjithë historinë e futbollit shqiptar. Unë jam tifoz i Milanit (qesh) dhe nëse Broja do të mbërrinte në Milanello, do të isha i lumtur dy herë. Padyshim që do të ishte goditja më e mirë dhe më e fortë që Milani mund të bëjë. Po flasim për një nga sulmuesit më të mirë në Europë. Jam i bindur se ai është gati të përjetojë futbollin italian dhe nëse kjo ndodh, besoj se do të jetë sukses.
A do të vazhdojë marrëdhënia e shkëlqyer me Italinë edhe në vitet e ardhshme?
Marrëdhëniet e mira mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Federatës Italiane, në veçanti me presidentin Gravina, janë ndërtuar mbi baza solide të respektit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë. Kemi punuar ngushtë në shumë projekte dhe iniciativa, të cilat kanë sjellë përfitime të dukshme në aspektin sportiv. Ne jemi të bindur se kjo marrëdhënie e shkëlqyer do të vazhdojë të përmirësohet dhe forcohet në vitet në vijim. Kemi histori të pasur dhe të gjatë bashkëpunimi në sport dhe kulturë mes dy vendeve tona, jam i sigurt se ky bashkëpunim do të vazhdojë të jetë një shembull i shkëlqyer.