Për herë të parë pas disa merkatosh verore, Interi do ta gjejë veten në sezonin e ardhshëm pa detyrimin për të shitur një lojtar të rëndësishëm, për të mbledhur para dhe për të pasur mundësinë e kryerjes së merkatos hyrëse. Bilanci financiar është më i shëndetshëm, por kjo nuk përjashton mundësinë që ndonjë top-lojtar të largohet në fund të sezonit.
Ai që mund të largohet nga zikaltrit është Denzel Dumfries, duke qenë se kontrata e tij skadon në qershor 2025. Siç raporton “Corriere dello Sport”, së shpejti do të ketë një takim me agjentin e anësorit holandez për të kuptuar çdo marzh për rinovimin. Kohët e fundit ka pasur një hapje nga ish-lojtari i PSV për uljen e kërkesave financiare, por pesimizmi vazhdon të mbizotërojë në “Viale Liberazione”.
Prandaj, sot për sot transferimi diku tjetër ka më shumë gjasa se sa rinovimi, duke qenë se është e pamundur që drejtuesit zikaltër ta mbajnë deri në fund të kontratës pa e “blinduar” dhe ta humbasin falas. Në fund të fundit, tek Interi askush nuk dëshiron që një rast i ri Skriniar të ndodhë përsëri.
Çmimi i holandezit tashmë është vendosur: 30 milionë euro. Duhet besuar se përballë një propozimi të tillë, Interi do ta shesë atë, pavarësisht përpjekjeve për rinovim. Klubi zikaltër, megjithatë, mbetet vigjilent derisa të takohet me agjentët e Dumfries.
Në të njëjtën kohë, Marotta shpreson që holandezi të ekspozohet në Kampionatin Evropian të kësaj vere për të tërhequr blerës. Deri më sot, Manchester United dhe Aston Villa kanë shfaqur njëfarë interesi, por pa bërë lëvizje konkrete.