Duplantis “fluturon” sërish dhe vendos një tjetër rekord botëror në kërcim më shkop

26 Gusht 2024
9:20
Telesport
back button

Pas medaljes së artë me rekord botëror në garën e kërcimit më shkop dy javë më parë në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, atleti suedez Armand Duplantis ka dhuruar sërish spektakël. Këtë herë në pistën e Chorzow, në Poloni.

Atleti suedez vendosi një tjetër rekord botëror në këtë disiplinë, duke kërcyer 6.26 metra dhe duke përmirësuar me një centimetër rekordin e mëparshëm (6.25 metra, vendosur në Olimpiadë). Ai e arriti këtë distancë në përpjekjen e dytë.

Kërcyesi fenomenal suedez garoi për edicionin e tretë radhazi në Memorial Skolimowska në Chorzow, pas sukseseve në vitin 2022 me 6.10m dhe në 2023 me 6.01m. Duket se ai dhe është shumë i lidhur me Poloninë, sepse në shkurt 2020, ai arriti rekordin e tij të parë botëror, me 6.17m në takimin e Torunit.

Duplantis ka thyer 89 herë në karrierën e tij barrierën prej 6 metrash dhe është një nga sportistët më të suksesshëm në historinë e Diamond League. Një legjendë që pritet të befasojë sërish në të ardhmen.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit