Duro: Nuk i trembemi aspak Tiranës, duhet të na respektojë ajo!

20 Shkurt 2020
13:41
Alfred Lleshi
back button

Nesër, prej orës 18:00, në “Air Albania Stadium” do të luhet kryesfida e javës së 23-të të Superiores, Kukësi-Tirana. Një përplasje mes dy kryesuesve të kampionatit, që ngërthen interesin e mbarë opinionit futbollistik shqiptar. Trajneri i verilindorëve, Shpëtim Duro, ka dalë në konferencë për shtyp, duke nënvizuar se nuk i trembet Tiranës, pavarësisht formës aktuale dhe emrit të madh që ka: “Në futboll vlen edhe një pikë, sigurisht nuk ka gjëra absolute. Varet se si vjen barazimi. Po t’i referohem transfertës me Bylisin, para ndeshjes ishte i lakmueshëm edhe barazimi, por në fund dolëm të mërzitur. Ne do mundohemi të marrim maksimumin, ashtu siç do të kërkojë Tirana. Vendos verdikti i fushës.

A ndikon te titulli ky ballafaqim? Sa ka kaluar gjysma e kampionatit. Patjetër, është një ndeshje e rëndësishme, do të ndikojë shumë në aspektin moral, por për titullin nuk do të jetë decizive. Pres luftë të fortë për titullin deri në fund, së bashku me Partizanin. Siç e theksova disa ditë më parë, është pozitive që u fut edhe Partizani në garën treshe. Kështu bëhet edhe kampionati më interesant. Çdo javë është llogari. Në këtë kontekst them se kampionati është i hapur. Ngulmoj se ndeshja me Tiranën është e rëndësishme, por nuk vendos gjithçka.

Është e vërtetë se Kukësi ka sulmin më të mirë, ashtu sikurse Tirana ka pësuar më pak gola në Superiore. Pra, do të luajë formacioni më I mirë ofensiv kundër mbrojtjes më të suksesshme. Ne jemi skuadra më e mirë, si në aspektin sulmes, me dy-tre gola më pak se Tirana, por edhe në mbrojtje. Do të kujdesemi që të jemi të ekuilibruar. Kemi marrë masa për mbulimin e kundërshtarëve. Edhe ne kemi lojtarë të spikatur në sulm, ndaj Tirana do ta ketë të vështirë.

Unë e respektoj Tiranën, normalisht. Është një skuadër që ka investuar më shumë në periudhën e verës. Pavarësisht oshilacioneve, pritej që të vinte në këtë situatë. Nuk i druhem, por e respektoj, ashtu siç duhet të na respektojnë bardheblutë neve. Formacioni? E kemi grupin të plotë. Rroca me Gavazajn kanë dëmtime të lehta, por jo për mos të qenë gati për sfidën. Dy fitore në dy fazat e para? Kjo nuk d të thotë gjë. Ndeshjet nuk i ngjajnë njëra-tjetrës. Po të ishtë njësoj, nuk do të luanim nesër. Nuk ka favoritë kjo ndeshje, për të qenë realist. Ne luajmë jashtë fushe në çdo ndeshje. Megjithatë, nesër Kukësi është pritës, jemi mësuar me këtë situatë. 

Nuk kemi atë prani tifozësh, që mund të ketë Partizani apo Tirana, por këto ndeshjet me atmosferë të ndezur na kanë bërë mirë. Të shohim nesër, stadiumin, fushën, ambientin, se çfarë do të ndodhë Unë e pëlqej koreografinë e Tiranës. Para 5 vitesh kam qenë një ndër protagonistët kryesorë, që kërkova të ishin në stadium, tifozët e Tiranës dhe Partizanit. Bëra mirë, pasi ata erdhën në stadium dhe fitoi Partizani. Mua më pëlqen ambienti. Edhe po të luanim në Elbasan, prapë Tirana do të kishte më shumë tifozë. Nuk e shoh si diçka në disfavor. Rëndësi ka që të jetë një ndeshje e bukur e spektakolare. Fusha vendos për rezultatin, jo tifozët”.

Standings provided by Sofascore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit