Me 12 ndeshje si titullar (dhe 5 si zëvendësues) nga 23 të luajtura deri tani, për një total prej 1.103 minutash lojë, të shoqëruara me një gol dhe një asist, Yann Bisseck nuk është pjesë e formacionit të parë të Interit, por është kthyer në një pikë të sigurt për trajnerin Simone Inzaghi. I ardhur disi papritur gjatë merkatos së verës 2023 për 7 milionë euro nga danezët e Aarhus, mbrojtësi gjerman ka bërë hapa të mëdhenj në karrierën e tij me zikaltrit.
Nuk është rastësi që dy klube të Premier League, Tottenham dhe West Ham, kanë treguar interes për të. Sipas “CaughtOffside”, të dyja skuadrat angleze janë në kërkim të një qendërmbrojtësi të fortë fizikisht dhe të ri në moshë, prandaj kanë dërguar vëzhgues në ndeshjen Inter-Parma për ta parë Bisseck drejtpërdrejt. Raportet nga skautët kanë qenë shumë pozitive, aq sa po përgatitet një duel londinez për të.
Interi e konsideron Bisseck jo vetëm një perspektivë për të ardhmen, por realitet të sigurt tashmë. Gjithsesi, “CaughtOffside” ngre pyetjen: “A do të mundet Interi të rezistojë ndaj një oferte prej 35 milionë paundësh (rreth 42 milionë euro)?”
Ndërkohë, në orbitën e Interit ka dalë emri i Bijol, por më shumë në kontekstin e një pasuesi të mundshëm të Acerbi. Nuk duhet harruar që Bisseck është një lojtar i shumanshëm, i aftë të luajë si qendërmbrojtës i djathtë, si zëvendësues i Pavard, ose si qendërmbrojtës i pastër, siç u pa në Kupën e Italisë kundër Udinese.
Përfundimi? Bisseck është një lojtar i rëndësishëm për Interin, klub i cili nuk dëshiron të heqë dorë prej tij. Megjithatë, nëse oferta prej 42 milionë eurosh do të ishte reale, dilema do të ishte e madhe për drejtuesit zikaltër.