Dy përforcime dhe tri miqësore; Partizani kthehet nga përgatitorja turke

19 Janar 2019
9:52
Alfred Lleshi
back button

Ashtu si Kukësi, edhe të kuqtë e trajnerit Skënder Gega iu kanë dhënë fund përgatitjeve në Antalia të Turqisë. Të premten, kryesuesit e Superiores janë kthyer në atdhe, për t’i vijuar këtu stërvitjet, tashmë të fokusuara te kundërshtarë konkretë, fillimisht në Kupën e Shqipërisë dhe pastaj në kampionat. 

Me “bateri të karikuara” mirë në aspektin fizik, me dy përforcime në merkaton e janarit (Dilaver Duka dhe Lum Rexhepi), Partizani duket gati për të startuar zyrtarisht vitin 2019. Në njoftimin e klubit 15 herë kampion të vendit, shkruhet: “Skuadra i ka dhënë fund sot minifazës përgatitore të zhvilluar në Antalia.

Trajneri Skënder Gega dhe stafi teknik kanë zhvilluar të premten paradite edhe seancën e fundit stërvitore, ndërsa pasdreke ekipi ka udhëtuar drejt Shqipërisë. Përgjatë 13 ditëve në tokën turke, të kuqtë kanë zhvilluar një program të ngjeshur stërvitor, me nga dy seanca në ditë, falë edhe kushteve optimale që ofroi rezidenca “Miracle Resort”. Në Antalia, trajneri Gega pati mundësi të testonte ekipin edhe në tri miqësore ndaj Sivasspor, Antaliaspor (1-1) dhe Dinamo Zagreb (1-2). 

Kastrioti do të jetë ballafaqimi i parë zyrtar për vitin 2019, i vlefshëm për turin e dytë të Kupës së Shqipërisë, ndërkohë që në startin e fazës së tretë të Kategorisë Superiore, të kuqtë do të udhëtojnë drejt Korçës për t’u përballur me Skënderbeun, më 25 janar”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit