Dy vite më parë, më 18 dhjetor 2022, Argjentina triumfoi në Kupën e Botës së Katarit duke mposhtur Francën në finale, pas penalltive. Ángel Di María, një nga figurat kyçe të suksesit të skuadrës së drejtuar nga Lionel Scaloni, kujtoi ato momente magjike në një intervistë për gazetën argjentinase “Olé”:
“E vërteta është se imazhi i parë që më vjen në mendje është kur përfundimisht munda ta puth Kupën e Botës, pasi mora medaljen. Ky ishte momenti më i dëshiruar, imazhi që kisha parë kaq shumë herë te lojtarë të tjerë në histori. Ky moment ishte më në fund yni. Aty munda të thoja: Sot më takoi mua, sot ia dola. Ishte një ndjenjë e papërshkrueshme”.
Sipas Di María, ndeshja kundër Italisë në “Finalissima” ishte thelbësore për vetëbesimin dhe formimin e skuadrës: “Kundër Italisë treguam se nuk ishim vetëm të aftë të mposhtnim skuadrat nga Amerika e Jugut, por se ishim në të njëjtin nivel me më të mirët e Europës. Pas asaj ndeshjeje, të gjithë filluan të na shikonin ndryshe dhe kuptuan se Argjentina ishte një kandidate e fortë për të fituar Kupën e Botës”.
Di María argumentoi se ky sukses ishte i merituar: “Ne e dinim përgjegjësinë që kishim kur shkuam në Katar. Nuk e nisëm mirë turneun, por gjithçka ndryshoi pas humbjes së parë. Ishte e qartë që kishim diçka të veçantë: një unitet të jashtëzakonshëm dhe qëllim të përbashkët për të bërë historinë”.
Fitorja në Kupën e Botës 2022 solli një gëzim të papërshkrueshëm për popullin argjentinas: “Ishte gjëja më e bukur që na ka ndodhur neve, që ishim aty atë ditë, dhe padyshim për të gjithë argjentinasit. Ishte çmenduri ajo që pamë në vendin tonë pas triumfit. Trofeu më i madh është që arritëm t’iu japim një gëzim kaq të madh njerëzve tanë”.
Ky sukses mbetet një nga momentet më të paharrueshme në historinë e futbollit dhe në jetën e çdo argjentinasi.