I intervistuar nga “Corriere della Sera”, Blerim Dzemaili foli për Zvicrën e tij, e cila do të përballet me Italinë nesër pasdite në orën 18:00, në “Olympiastadion” të Berlinit: “Kemi një bllok mbrojtës që funksionon mirë së bashku, askush nuk frenohet. Prisni një Zvicër me cilësi më të lartë në krahasim me kualifikueset, sepse i mungonte Embolo.
Ky sulmues mban topin, lë shokët e tij të luajnë, sakrifikon shumë. Është një ekip me të cilin nuk di të përballesh, sepse nuk të jep pika referimi. Zvicra di si të mbrohet dhe dalë në kundërsulm, por edhe ta kontrollojë topin me Freuler dhe Xhaka, që është lideri absolut. Më ka befasuar Ndoye në këtë Europian, ai po bën gjëra që askush nuk i priste. Ky lojtar, gjithashtu ka shënuar dhe kjo i jep më shumë besim.
Pse Zvicra ka arritur në 16-she të Kupës së Botës tri herë radhazi dhe Italia jo? Sepse në Zvicër, ekipet e të rinjve bëjnë gjithmonë mirë, kanë talente. Është një ndërtim që fillon nga fundi, ky mbetet sekreti i futbollit zviceran.
Më pas, për të bërë kapërcimin në cilësi, duhet të largohesh nga vendi, por themelet janë shumë të mira. Sipas meje, Italia nuk i ndjek mirë të rinjtë dhe kjo është serioze. Pikërisht këtu duhet gjetur përgjigja e pyetjes pse nuk ka më Del Piero apo Totti.
A është e favorizuar Italia në këtë ndeshje? Nuk ka dyshim, por duhet të luajë si në 30 minutat e fundit kundër Kroacisë, me lojtarë cilësorë dhe Scamacca që e mban ekipin në lëvizje. Grupi nuk ishte i lehtë, goli i Zaccagni mund t’i ketë zhbllokuar axurrët.
Cili mund ta bëjë ndryshimin? Pres shumë më tepër nga Chiesa, i cili bëri më shumë goditje në ato 30 minuta sesa në dy ndeshje. Me cilësitë që ka, ai nuk duhet të jetë i kënaqur me çfarë ka dhënë deri tani në Europian”.