Marc ter Stegen, portieri i Barcelonës, ka reaguar në “X” për t’iu përgjigjur informacioneve të shpërndara në podkastin “Barça Reservat” të “Catalunya Ràdio”, në të cilën thuhej se gjermani kishte mbajtur një takim me komisionin sportiv të Barçës dhe kishte shprehur shqetësimin e dhomës së zhveshjes për disa komente të Xavi Hernández për skuadrën.
Një orë pas njoftimit për shkarkimin e Xavit si trajner, Ter Stegen shkroi një mesazh në llogarinë e tij në “X” për ta mohuar me forcë informacionin dhe siguroi se nuk do të tolerojë që emri i tij të përdoret për të krijuar një atmosferë të keqe:
“Historia e publikuar nga ‘Barça Reservat’ sulmon drejtpërdrejt vlerat e mia personale dhe nuk do të toleroj që dikush të përdorë emrin tim për të krijuar situata të këqija bazuar në informacione të rreme. Nëse ndonjëherë dua të them apo raportoj diçka, do të jem gjithmonë shumë i drejtpërdrejtë me personin”.
Podkasti ‘Barça Reservat’, në edicionin e tij të së enjtes zbuloi një takim të supozuar midis Ter Stegen dhe udhëheqjes sportive të klubit, mbajtur dhjetorin e kaluar, në të cilin portieri gjerman, që vepron si një nga kapitenët blaugrana, kishte shprehur siklet për disa komente të shprehura nga Xavi në konferencat për shtyp për skuadrën.
Gjithmonë sipas informacioneve të sipërpërmendura, Ter Stegen do t’i kishte shpjeguar Laportës dhe komisionit sportiv se disa lojtarë ndiheshin të veçuar nga trajneri, kur Xavi iu referua “gabimeve individuale”, për të shpjeguar disa rezultate të këqija.