Tregu i transferimeve të Milanit mund të jetë thelbësor për të ardhmen e afërt të klubit. Kuqezinjtë mund të investojnë shumë në sulm. Goditja e parë duhet të jetë Joshua Zirkzee i Bologna. Por, a është e mundur që të vijë edhe ndonjë lojtar tjetër? Milani, gjithashtu mund të kërkojë një sulmues tjetër.
Nicolò Schira, ekspert i tregut të transferimeve në futboll, foli mbi interesimin e Milanit për sulmuesin e Chelsea, Armando Broja. Këtu është postimi i tij në “X”: “Armando Broja është gati të largohet nga Chelsea gjatë afatit kalimtar të verës.
Milani ka shfaqur interes për situatën e sulmuesit shqiptar. Për Milanin mund të jetë një rikthim në këtë pistë merkatoje. Broja, në fakt, është lidhur shpesh me kuqezinjtë në seancat e fundit të tregut të transferimeve”.
Broja, “kryefjalë” e merkatos verore – Pra, çfarë do të ndodhë më pas? Duket se Broja do të shitet këtë verë. Ndër klubet e interesuara janë Monaco e Ligue 1 të Francës, Milani në Itali dhe skuadrat e Premier League si West Ham, Everton, Wolves. Megjithatë, Chelsea nuk do të nxitojë në tryezën e negociatave. Ashtu si Broja, që synon të zhvillojë një Kampionat Europian të mirë, çka do ta ndihmojë të gjenerojnë një tarifë më të madhe.
Mundësia për t’u larguar nga klubi, të cilit iu bashkua në moshën 8-vjeçare, nuk e tremb sulmuesin shqiptar. Ai ka parë kolegë të dalë nga akademia e Chelsea me të, Callum Hudson-Odoi dhe Dominic Solanke të lëvizin e ta përmirësojnë karrierën e tyre te Nottingham Forest dhe Bournemouth, respektivisht.
“Callum është një talent i madh dhe pati një dëmtim të madh (tendinën e Akilit, si në rastin e tij) te Chelsea, si unë, – thotë Broja. – Gjërat nuk funksionuan, kështu që iu bashkua Forestit dhe tani po shënon gola, po bëhet sërish vetvetja. Ata besuan në të dhe kjo është ajo që i duhet një lojtari kur kalon një dëmtim të tillë.
Dominic nuk iu dhanë ndeshje te Chelsea, apo Liverpool (klubi i tij i ardhshëm), por tani ka pesë sezone të suksesshme me Bournemouth, ku është lejuar të bëjë edhe gabime, të ketë edhe paraqitje të këqija, pra të bëjë gjënë e gabuar dhe të duhur. Ai e përfundoi këtë sezon si një nga golashënuesit më të mirë në Premier League. Dhe nëse dikush dëshiron ta blejë, do të kushtojë shumë para.
E ardhmja ime? Asgjë nuk është vendosur ende, por nëse më duhet të shkoj diku tjetër për t’u rikthyer në brazdën time, atëherë sigurisht që do ta bëj. Si lojtar nuk ka ndjenjë më të mirë sesa të jesh në fushë dhe të dish se ke një klub dhe një ekip që të mbron; një klub që të lejon të bësh gabime, sepse e di se do të bëhesh dikushi.
Por, për momentin, i gjithë fokusi im është të bëj më të mirën për Shqipërinë në Europian. Jam i emocionuar si çdo shqiptar në botë, mezi pres të fillojë gara në Gjermani”.