E bujshme nga Anglia: Nuk ka rinovim me Interin, Dumfries dëshiron këtë ekip

8 Gusht 2024
9:00
Alfred Lleshi
back button

Denzel Dumfries nuk ka ndërmend të hyjë në negociata me Interin për një kontratë të re deri në mbylljen e afatit kalimtar të verës. “Bomba” vjen nga “The Athletic”, media e cila hap skenarë të ndryshëm për të ardhmen e anësorit holandez. Siç dihet, Dumfries do ta përfundojë kontratën ekzistuese me klubin zikaltër në më pak se 12 muaj (qershor 2025).

Një ndryshim i madh krahasuar me atë që rrjedh nga shtypi italian, i cili në periudhën e fundit, sidomos pas përfundimit të Kampionatit Europian në Gjermani, shkroi se rinovimi me Interin ishte në gatishmëri.

Sipas tabloidit anglez, dëshira e klubit të “Viale della Liberazione” është që të vazhdojnë së bashku me Dumfries, por në gjendjen aktuale lojtari mbetet i fokusuar te transferimi diku tjetër. Kryesisht me mundësinë e kalimit te Manchester United, gjithmonë në gjurmët e tij.

Ky do të ishte një opsion vetëm në rast se Aaron Wan-Bissaka do të refuzonte përfundimisht kalimin te West Ham United, klub i cili aktualisht ka një marrëveshje parimore me Manchester United për transferimin e anglezit, ndërsa kushtet personale me lojtarin nuk janë përcaktuar ende.

U fol edhe për një shkëmbim të mundshëm me Dumfries, hipotezë e shtyrë sidomos nga ndërmjetësit e dy lojtarëve, jo aq nga klubet. Në fakt, Wan-Bissaka ishte i përgatitur mirë për idenë e kalimit tek Interi.

Megjithatë, preferenca e Manchester United do të ishte shitja e Wan-Bissaka tek West Ham, për të nënshkruar me Noussair Mazraoui nga Bayern Munich, duke qenë se negociatat janë duke u zhvilluar.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit