Manchester City nuk dëshiron të mbetet i papërgatitur në rast se trajneri spanjoll Pep Guardiola vendos të largohet në fund të sezonit, kur dhe i skadon kontrata. Ndaj, kampionët e Anglisë kanë piketuar pasardhësin e tij.
Bëhet fjalë për trajnerin e Sporting Lisbona, Ruben Amorim. Ai konsiderohet si pasardhësi i denjë i Guardiola, ndaj dhe “citizens” kanë nisur që tani të monitorojnë situatën përreth Amorim, për të evituar konkurrencën.
Këtë verë, emri i tij u përmend si kandidat për disa skuadra në Premier League, por duket se ai ka patur një plan tjetër. Trajneri 39-vjeçar portugez është mik i ngushtë me Hugo Viana, i cili do të marrë drejtimin e klubit pasi Txiki Begiristain të largohet si drejtor i futbollit të City verën e ardhshme.
Kontrata e Pep Guardiola skadon verën e ardhshme dhe ai u shpreh se çdo gjë mund të ndodhë në të ardhmen e tij. Së fundi po përflitet se Amorim ka patur kontakte me drejtuesit e Manchester City, por gjithçka do të konfirmohet pranverën e ardhshme.