“E kam përjetuar tashmë derbin Inter-Milan si tifoz”; Morata zbulon prapaskenën e pabesueshme

6 Shtator 2024
13:02
Alfred Lleshi
back button

Numërimi mbrapsht ka filluar. Gjithnjë e më shumë po afrohet derbi i Milanos, një nga ndeshjet më të shumëpritura në qytetin milanez, por edhe mbarë Italinë e jashtë saj.

Ndër protagonistët më të pritur është edhe Alvaro Morata, i cili po punon për rikuperimin nga dëmtimi, që e detyroi të humbiste ndeshjet ndaj Parmës dhe Lazios.

Spanjolli, kapiteni i “La Roja”, fitimtar në “Euro 2024”, mezi pret të rikthehet në fushë dhe të sfidojë zikaltrit, pas problemit muskulor që pësoi para Milan-Venecia. Ai dha një intervistë për “Sky Sport”:

“Kam ardhur në ‘San Siro’ për të parë disa derbe si tifoz, me kapele dhe syze të zeza. Askush nuk më vuri re, doja të merrja frymë në atë atmosferë”.

Morata zbuloi një sfond kurioz disa javë para “Derby della Madonnina”: “Mezi pres ta luaj derbin. Tani mund ta them për herë të parë: erdha në ‘San Siro’ për të parë dy derbe si tifoz, me kapele dhe syze të zeza, askush nuk më vuri re. Doja të merrja frymë në atë atmosferë, nga jashtë e kupton se sa vlen kjo ndeshje.

Mezi pres ta provoj ndjenjën e shënimit në një derbi dhe ta fitoj atë, për t’i bërë tifozët e Milanit të ndihen krenarë. Jemi një skuadër e madhe, duhet të luajmë me zemër. Mund të humbasësh një pasim ose një mundësi, por duhet të japësh gjithçka në fushë, duhet të jesh i uritur në një derbi, nuk mund të gabosh”.

Spanjolli foli edhe mbi të ardhmen e vet: “Flokët e thinjura shfaqen kur një lojtar ka përvojë. Kam mësuar nga shumë trajnerë, nga shumë shokë të skuadrës, mendoj se kam ende 4-5 vitet më të rëndësishme të karrierës sime përpara. Ndihem gati të jap gjithçka me një shkallë shumë të lartë përvoje, kjo është e mirë për mua”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit