E konsideruan dështim, ish-ylli i Serisë A po çmend Gjermaninë

15 Dhjetor 2019
18:34
Denis Hakanaj
back button

Ka shkuar me vonesë, por është prezantuar gjithsesi në mënyrën e duhur. Patrick Schick ka bërë për vete Leipzig-un me dy gola që i kanë dhuruar skuadrës vendin e parë në renditjen e Bundesliga-s. Dhe të mendosh se u etiketua si një dështim pas transferimit të tij me formulën e huazimit nga Roma.

Deri në javën e 12-të të kampionatit, sulmuesi çek kishte luajtur vetëm 27 minuta në Bundesliga për shkak të një problemi në kavilje. Tani është mirë (në 4 ndeshjet e fundit ka luajtur gjithmonë, në 3 të fundit ka qenë titullar) dhe po bën të ndihet mirë edhe Leipzig-un.  

Në Gjermani kanë filluar ta përshkruajnë si vrapuesin e golave: të shtunën, kundër Dusseldorf-it, ka shënuar pas 65 sekondash. E ka zhbllokuar ndeshjen menjëherë, ashtu siç kishte bërë edhe dy javë më parë kundër Paderborn-it, kur realizoi pas 138 sekondash.

Në të dy ndeshjet Leipzig-u ka shënuar tre gola (3-2 kundër Paderborn-it, 3-0 kundër Dusseldorf) dhe ai ka qenë vendimtar në të dy ndeshjet. Falë tij, në Lepzig kanë filluar të ëndërrojnë titullin dhe të bëjnë shaka me emrin e tij: “Schicksal” do të thotë “fat” në gjermanisht.

Atëherë nuk është një rastësi që ai shënon gola kaq të rëndësishëm. Tani, pas një fillimi të komplikuar të sezonit, blerja e tij përfundimtare nga ana e klubit gjerman (28 milionë euro) nuk duket më një utopi.

Nga ana tjetër, edhe pse ka shkuar me vonesë te Leipzig-u, ai është paraqitur shumë mirë. Edhe kjo mund të jetë një shenjë e “Schiksal”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit