E KRYER! Hansi Flick ka firmosur, gati prezantimi si trajneri i ri i Barcelonës

29 Maj 2024
12:14
Alfred Lleshi
back button

Pas një të marte plot tension, pritet që këtë të mërkurë, më 29 maj, të inaugurohet një “skenë” e re te Barça. Gjermani Hansi Flick do të shpallet zyrtarisht si trajneri i ri i Barçës, pasi presidenti i klubit të mbyllë përfundimisht largimin e Xavi Hernández.

Sezoni zyrtar i klubit Blaugrana përfundoi të dielën, me fitoren e parëndësishme në “Sánchez-Pizjuán”, pasi vendi i dytë në La Liga ishte siguruar tashmë. Në klubin katalanas tashmë po punojnë 100% mbi planifikimin sportiv për sezonin e ardhshëm. Tani e tutje, Hansi Flick do të punojë së bashku me Deco de Souza, drejtor sportiv, për të ndërtuar skuadrën e re.

Sipas “As”, Xavi Hernández ka refuzuar një propozim për të qenë trajner i kombëtares së Koresë së Jugut. Në derën e trajnerit katalanas kanë trokitur edhe Ajax, Manchester United e Milan. Ideja e tij, siç është shprehur në disa raste, është të bëjë një pushim dhe më pas të vlerësojë opsionet që ka për të vazhduar të stërvisë diku tjetër.

Flick ka nënshkruar një kontratë për 2 sezone, e cila do ta lidhë atë me Barcelonën deri më 30 qershor 2026. Prezantimi i tij në media nuk do të jetë i menjëhershëm, as këtë të mërkurë, as gjatë javës. Do të zgjasë më shumë se zakonisht, teksa ka nisur planifikimi i sezonit të ardhshëm.

Në këtë mënyrë, ai bëhet trajneri i tretë gjerman në historinë e klubit katalanas, pas Hennes Weisweller (1975-76) dhe Udo Lattek (1981-83). Flick është gjithashtu trajneri i pestë nën presidencën e Joan Laporta (Frank Rijkaard 2003-08, Pep Guardiola 2008-12, Ronald Koeman 2020-21 dhe Xavi Hernández 2021-24).

Lajme të tjera

Lajmet e fundit