Debati mes lirisë, satirës dhe respektit për dhimbjen personale është rikthyer në Francë. Revista satirike “Charlie Hebdo” ka shkaktuar zemërim të madh me kopertinën e fundit, ku vuri në shënjestër trajnerin e kombëtares franceze, Didier Deschamps, i cili vetëm pak ditë më parë humbi nënën e tij, Ginette.
Karikatura, e realizuar nga ilustratori Félix, e paraqet Deschamps duke ngritur me krenari një urnë funerali me mbishkrimin “Mami”, në vend të një trofeu futbolli. Në krah të figurës shkruhet: “Didier Deschamps e sjell kupën në shtëpi”, një referencë ironike ndaj këngës “Ramenez la coupe à la maison”, himni i Francës pas triumfit në Botërorin 2018.
Reagimet në rrjetet sociale ishin të menjëhershme, me përdorues që e cilësuan karikaturën si “të neveritshme”, “të turpshme”, “çnjerëzore” dhe “mizori falas”. Kritikat u përhapën edhe në politikë dhe futboll. Presidenti i Federatës Franceze të Futbollit, Philippe Diallo, deklaroi: “Kjo karikaturë më tronditi. Ne ishim të gjithë Charlie, por kjo ishte krejtësisht e papërshtatshme ndaj një njeriu që po kalon një dhimbje të madhe. FFF mbështet lirinë e shprehjes, por kjo karikaturë mbetet pa respekt dhe e pahijshme”.







