“E pamundur t’ia hiqje topin nga këmbët, Ronaldinho ishte më i talentuar se… Messi”

12 Dhjetor 2024
9:00
Alfred Lleshi
back button

Pedro Mario Álvarez Abrante, i njohur më shumë si ‘Mario’, ishte një nga blerjet më të pazakonta të epokës Rijkaard te Barcelona. I rekomanduar nga Eusebio, që e kishte drejtuar te Valladolid, ai mbërriti në vitin 2003 te katalanasit, por kurrë nuk gjeti vend në ekipin e parë. Pavarësisht se erdhi me etiketën e një qendërmbrojtësi të shpejtë dhe me shumë perspektivë, ai tani pranon se u ndje i mbingarkuar nga një klub me përmasat e Barcelonës.

Ish-futbollisti ka dhënë një intervistë për “offsiders podcast”, ku tregoi përvojën e tij në Barcelonën e Rijkaard dhe procesin e transferimit në “Camp Nou”: “Atë verë më telefonoi presidenti i Valladolid dhe më tha: Shiko, Mario, ka një ekip të madh në Spanjë që të do. Barça dëshiron të nënshkruajë me ty, por nuk mund t’i thuash askujt. Nëse i thua dikujt, operacioni do të dështojë.

Në atë kohë, miqtë e mi më thonin: Hajde të dalim! Unë iu përgjigjesha: Nuk shkoj askund. Kisha vendosur të ushqehesha mirë, të kujdesesha për veten… Ata më thonin: Çfarë ke, o shok? Sepse unë gjatë pushimeve shtoja 5 kilogramë. Barça pagoi 3 milionë për mua. Atë vit nënshkruan Ronaldinho, Quaresma, Márquez…, përveçse ishin Xavi, Iniesta, Luis Enrique, Cocu, Kluivert… Unë u ndjeva shumë i vogël në mes të gjithë këtyre yjeve. Ishte si një film tjetër”.

Mario gjithashtu kujtoi ndryshimin drastik mes stërvitjeve të Valladolid dhe Barcelona: “Aty nuk bënin as palestër. Ishte një tjetër filozofi; stërvitje me top, 45 minuta rrethore, disa vrapime… Domethënë, nuk stërviteshin. Unë vija nga një regjim ku vrapoja si kafshë te Valladolid dhe arrija aty, ku bëheshin vetëm gjysmë ore rrethore. Juë betohem. Çdo ditë përfundoja duke menduar: përsëri rrethore. Supozohej se ishte argëtuese, por unë isha lodhur nga ajo. Pastaj kishte shumë stërvitje me top, por aspak ngarkesa fizike. Ndoshta nuk ishte e nevojshme me lojtarët që ishin aty në atë kohë”.

Mario mbeti i mahnitur veçanërisht nga Ronaldinho, i cili shumë shpejt tregoi se ishte një futbollist i jashtëzakonshëm: “Ronaldinho, për mua, po të ishte kujdesur pak për veten, nuk do të parakalohej as nga Messi. Dhe mendoni se ai stërvitej vetëm 50% deri në 70%. Luante duke qeshur, ishte një kënaqësi ta shihje duke luajtur dhe stërvitur. Për mua, në vitet e arta të Barcelonës, ai ishte më i miri në botë. Ishte e pamundur t’ia hiqje topin nga këmbët, ishte diçka e çmendur. Ishte një nivel tjetër, mbi të gjithë. Dhe pastaj me ne ishte spektakolar në sjellje. Kishte disa të tjerë që nuk të përshëndesnin as me ‘mirëmëngjes’, por Ronnie ishte spektakolar”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit