E paprecedentë për Barçën, synon “normalitetin” e saj 293 ditë më vonë!

8 Prill 2021
13:59
Alfred Lleshi
back button

Që nga 21 qershori 2020, Barcelona nuk e ka udhëhequr klasifikimin e La Liga-s. Në atë ditë, java e 30-të e kampionatit të kaluar spanjoll, ekipi i stërvitur nga Quique Setién nuk shkoi përtej barazimit kundër Sevilla (0-0) në “Sánchez Pizjuán”, ndërsa Real Madridi mundi Real Sociedad (1-2) në “Anoeta”. Kombinimi i të dyja rezultateve i lejoi të bardhët të kryesonin me 65 pikë, aq sa kishin dhe Blaugrana-t, por me golaverazhin total ​​në favor. Kësisosji, ata morën kreun e klasifikimit, të cilën nuk do ta lëshonin deri në fund, kur u shpallën kampionë.

Pothuajse dhjetë muaj më vonë (saktësisht 293 ditë), Barcelona ka mundësi reale për ta udhëhequr përsëri La Liga-n. Për ta arritur këtë, ajo duhet të mundë Real Madridin në “Valdebebas” këtë të shtunë, megjithëse edhe barazimi vlen, gjithashtu. Në këtë rast, katalanasit do të barazoheshin me pikë me Atlético Madridin (66), por do të kishin golaverazh më të mirë në total. Nëse dalin me sukses në “El Clásico”, të besuarit e Koeman do të jenë kryesues për herë të parë në këtë kampionat. Megjithatë, gëzimi mund të zgjasë vetëm disa orë, nëse Atlético Madrid do të arrinte të njëjtin rezultat si Barcelona një ditë më vonë.

Ekziston vetëm një mundësi që Atlético ose Barcelona të mos jenë kryesues në fund të javës së 30-të të La Liga-s: nëse të dyja skuadrat humbasin dhe Real Madridi mposht Blaugrana-t me një rezultat prej katër ose më shumë golash ​​diferencë. Atëherë do të ishin të besuarit e Zidane në krye të renditjes. Më konkretisht, do të barazoheshin me “colchoneros” (nga 66 pikë), por të bardhët me golaverazh më të mirë. Duhet të mbahet mend se golaverazhi i ndeshjeve direkte ndërmjet ekipeve vlerësohet vetëm në fund të kampionatit, pasi gjatë garës vlen golaverazhi total. Kështu, pritet një javë e 30-të emocionuese në La Liga, ku secili nga tre të parët mund të përfundojë si kryesues.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit