Bernie Ecclestone, ish-pronari i Formula 1, është i bindur se FIA po e tepron me vendimet e saj për sa i përket ashpërsisë në penalizimin e pilotëve për disa duele në pistë. Ai i është referuar penalizimeve që janë dhënë për duelet që kanë patur Lando Norris e Max Verstappen në garat e fundit, por jo vetëm.
94-vjeçari ka ndjekur së fundi nga afër garën që u zhvillua në Brazil. Ai ka folur për penalitetet e dhëna nga komisarët, që sipas tij po pengojnë spektaklin. “Po bëhet çmenduri dhe të gjitha këto rregulla mund të përmblidhen vetëm me një frazë: Mos luftoni, përndryshe do të përfundoni në telashe. Të gjithë ankohen në radio”, tha Ecclestone.
“Këtë e pamë tashmë në Meksikë, me dy penalltitë e dhëna për dhjetë sekonda. Nëse jepen penalizime për këto gjëra, atëherë çfarë do të ndodhë kur të përballemi me situata më të rënda? Sa sekonda penallti duhen dhënë? Mendoj se po shkojmë pak larg, se gjithçka është shumë e pastër, gjithçka është shumë metodike”, tha Ecclestone.
“Lufta e fortë në pistë deri në limite, me ndonjë kontakt të vogël apo dalje jashtë janë normale. Kjo është pjesë e ADN-së së këtij sporti, që dalëngadalë po e humbet atë. Nuk po them që njerëzit që janë atje tani po bëjnë një punë të keqe, vetëm se nuk i kanë parë me kujdes gjërat që duhen eliminuar dhe ndryshuar”, u shpreh Ecclestone.