Edhe 3 gara për të ruajtur vendin, te Red Bull i tregojnë derën pilotit meksikan, gati dy zëvendësues

6 Nëntor 2024
12:10
Telesport
back button

Sezoni 2024 në Formula 1 është gati të përfundojë, me Red Bull që ka humbur prej disa garash pozitat si makina më e mirë në botë. Tashmë makina austriake renditet e treta, pas McLaren dhe Ferrari dhe në këtë rezultat negativ ka ndikuar mjaft paraqitja e meksikanit Sergio Perez.

Piloti ka ende edhe një vit kontratë me Red Bull, por paraqitjet zhgënjyese të meksikanit po i hapin rrugën mjaft emrave të rinj në cirkuit, si Liam Lawson apo Franco Colapinto. Ata shihen si trashëgimtarë të mundshëm të Sergio Perez, që prej muajsh nuk arrin të ngjitet në podium.

Për pasojë, drejtori sportiv i Red Bull, Christian Horner, ka deklaruar së fundi se vetëm Max Verstappen, triumfues në Brazil ditën e diel, ka të sigurtë vendin sezonin tjetër. Për meksikanin e ardhmja do të vendoset pas garës së fundit në Abu Dhabi, duke parë paraqitjet e tij.

Horner deklaroi se nuk do të ketë një ndryshim në fund të sezonit, siç u përfol pas Brazilit, por Perez duhet të përmirësojë paraqitjen e tij nëse dëshiron të qëndrojë ende. Pra, tri garat e radhës do të jenë vendimtare për meksikanin, që rrezikon të mos garojë në Formula 1 vitin tjetër.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit