“Eja me familjen tënde”; FSHF i “rrëmben kompetencat” Partizanit për derbin?

11 Dhjetor 2019
11:45
Alfred Lleshi
back button

Partizani është klubi organizator i derbit të radhës së kryeqytetit. Si i tillë, do të vendosë çmimin e tyre dhe do të menaxhojë shitjen e biletave për supersfidën e së premtes në mbrëmje, kundër Tiranës. Kësaj here do të jetë ndryshe, sepse përballja e ethshme mes dy skuadrave në antagonizëm të plotë do të luhet në “Air Albania Stadium”. Pra, në shtëp;inë e re të kuqezinjve. Për pasojë, ende nuk janë bërë të ditura detajet për tifozët e dy skuadrave, që duan ta përcjellin kryendeshjen e javës së 15-të të Superiores nga shkallët e stadiumit luksoz. 

Në anën tjetër ka qenë FSHF-ja, ajo që ka bërë një ftesë publike “Eja me familjen tënde”, referuar derbit historik, por pa shpjeguar nëse fëmnijët, deri në çfarë moshe, fjala vjen, mund të hyjnë pa biletë me prindërit. Ndoshta kjo gjë do të qartësohet nga Partizani, i cili, pse jo, në vazhdën e ftesës së FSHF-së, në frymën e solidaritetit, të procedojë me bileta familjare për derbin e madh të kryeqytetit. Duket se FSHF-ja e ka “hedhur dorashkën” në këtë drejtim, edhe pse organizimi i ndeshjes është ekskluzivitet i klubit të kuq. Ajo i fton të gjithë futbolldashësit shqiptarë në stadium: 

“Ditën e premte, më datë 13 dhjetor, ora 19:00, investimi më i madh i futbollit shqiptar, “Air Albania Stadium”, do të mirëpresë në derbin e solidaritetit dy klubet historike në vendin tonë dhe në kryeqytet: Partizani-Tirana; përballje e vlefshme për javën e 15-të të Kategorisë Superiore, edicioni 2019-2020.

Të dyja klubet e mëdha dhe të suksesshme të traditës shqiptare do ta kërkojnë me ngulm suksesin dhe fitoren në këtë tempull të ri të futbollit kombëtar. Kjo ndeshje e Superiores përkon në këtë stadium të ri, ku sigurisht rezultati ka vlera historike. Sportdashësit e të dyja skuadrave në këtë stadium modern, me një kapacitet prej 21 690 vendësh, do të gjejnë kushtet më të mira, që janë të njëjta me stadiumet më në zë në Europë dhe botë.

Derbi i kryeqytetit daton prej fillimit të vitit 1946 dhe që prej asaj kohe ka vijuar me një interes përherë në rritje, me grintë, duel sportiv dhe spektakël. Organizimi i kësaj superpërballjeje në impiantin e ri dhe modern sportiv të Shqipërisë i jep derbit një imazh tjetër, si dhe sportdashësve një mbrëmje të paharruar. FSHF fton dhe mirëpret të gjithë sportdashësit, së bashku me familjet e tyre, veçanërisht me fëmijët, për të shijuar magjinë e futbollit tonë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit