Eliminatoret e play off-it, avancojnë Partizani dhe Tirana, ja gjysmëfinalet

12 Prill 2019
20:47
Telesport
back button

Partizani dhe Tirana janë dy skuadrat e fundit gjysmëfinaliste në volejboll për femra, që do të luajnë në fazën e play off-it (Mirdita dhe Barleti Volley janë dy ekipet e tjera, të kualifikuara direkt). Sot në mbrëmje u zhvilluan dy ndeshjet e fundit eliminatore të play off-it, ku triumfuan dy ekipet kryeqytetase, që mposhtën me meritë rivalët.

Partizani eliminoi Vllazninë, duke fituar 3-0 në Shkodër ndaj skuadrës vendase. Ashtu sikurse pritej, kjo përballje e dytë ishte më e fortë se e para dhe të dyja ekipet dueluan fort, por përvoja e skuadrës kryeqytetase bëri diferencën në parket.

Në setin e dytë dhe të tretë, vajzat shkodrane tentuan të fitojnë dhe rihapin ndeshjen, por gabuan në momentet vendimtare. Kështu, Partizani kampion në fuqi avancon në gjysmëfinale, ku do të luajë ndaj Mirditës, që e mbylli sezonin e rregullt në vendin e parë.

Tirana fitoi brenda 60 minutash 3-0 ndaj Teutës në Durrës, një ndeshje ku pritej më shumë rivalitet në fushë. Gjithsesi, fusha tregoi se bardheblutë ishin më lart se vajzat durrsake, që në asnjë moment nuk rivalizuan edhe pse luanin në fushën e tyre.

Të trija setet ishin fotokopje të njëra-tjetrës, me volejbollistet kryeqytetase që diktuan në fushën e lojës. Madje Teuta u uli ritmin me kalimin e minutave, duke u dorëzuar shumë shpejt. Tirana avancon kështu në gjysmëfinale, ku do të luajë ndaj Barleti Volley, ndërsa Teuta mbyll sezonin pa lënë shumë gjurmë.

Volejboll – Femra, eliminatore play off (ndeshjet e para)

Tirana – Teuta, 3-1 (25-23, 25-17, 18-25, 25-15)

Partizani – Vllaznia, 3-0 (25-19, 25-12, 25-14)

Volejboll – Femra, eliminatore play off (ndeshjet e dyta)

Teuta – Tirana, 0-3 (14-25, 19-25, 11-25)

Vllaznia – Partizani, 0-3 (19-25, 23-25, 19-25)

*Partizani e Tirana fituan 2-0 me ndeshje serinë e eliminatoreve

Volejboll – Gjysmëfinale Femra

Mirdita – Partizani

Barleti Volley – Tirana

Lajme të tjera

Lajmet e fundit