“Emocion i pabesueshëm”, rrëfehet Asllani: Aty nuk kuptova më asgjë

22 Mars 2024
15:44
Denis Hakanaj
back button

Mesfushori i Shqipërisë dhe Interit, Kristjan Asllani, i intervistuar nga portali VTrend, ka folur për hapat e tij të parë në botën e futbollit dhe emocionin e lojës dhe golit të shënuar me fanellën e zikaltërve para tifozëve në San Siro.

Më poshtë një fragment nga deklaratat e tij:

“Jam rritur në Buti (Toskanë) dhe aty kam goditur topin për herë të parë, në moshën 4 vjeç e gjysmë kam filluar të luaj me Butesin por ndryshe nga tani kam filluar në ‘pozicione më të avancuara’, kam qenë më shumë sulmues.

“Si fëmijë kam qenë gjithmonë në shesh duke luajtur me topin, të gjithë në Buti më njihnin për këtë. Unë kam një marrëdhënie të mrekullueshme me familjen time. Kur erdhi koha për të shkuar në Milano, ndjeva nevojën t’i merrja me vete.

“Me vëllanë tim të vogël jam shumë i afërt, ai ishte 11 vjeç në atë kohë: Nuk u mendova dy herë dhe i mora me vete! Ndër të tjera jam tifoz me Interin dhe këtë pasion ma përcillte daja.

“Më kujtohet një derbi i fituar nga Interi, të cilin e kam parë si fëmijë shumë vite më parë, por besoj se të qenit tifoz i Interit ka lindur para kësaj, tashmë kur isha rreth katër vjeç.

“Kur fola me Interin për herë të parë, nuk e besova. Edhe sot nuk mund ta përshkruaj atë që ndjeva. Ishte një po e menjëhershme, nuk mund t’i thosha kurrë jo kësaj skuadre. Isha shumë i lumtur.

“Emocioni i golit të parë në San Siro? Të dëgjoja zhurmën e 75 mijë njerëzve, duke parë dashurinë e shokëve të skuadrës në fushë dhe atyre në stol që erdhën për të më përqafuar, ishte e pabesueshme.

“Ishte një emocion vërtet i papërshkrueshëm. Për gati dy vjet tek Inter nuk kisha shënuar ende dhe kjo më rëndoi pak. Kur pashë topin të hynte në portë, nuk kuptova më asgjë: ishte vërtet e papërshkrueshme”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit