Skuadra e PSG arriti një fitore të rëndësishme në fushën e Olympik Marsejë, për të marrë e vetme kryesimin e Ligue 1 pas ndeshjeve të javës së nëntë. Trajneri i kampionëve të Francës ka mbetur i kënaqur nga rezultati 3-0 në fushën e një rivali të vështirë.
“Rezultati është shumë pozitiv. Nuk mund të ndodhte ndryshe duke fituar një “Classique” të Francës me shifrat 3-0. E nisëm shumë mirë ndeshjen që në minutën e parë ndaj një kundërshtari që po bën mirë në kampionat”, u shpreh trajneri spanjoll i PSG.
Më tej, Enrique shtoi: “E përballuam presionin dhe patëm disa raste të pastra. Me dlajin e një kundërshtari me të kuqe loja ndryshoi, pasi më parë ishte më e bllokuar. Ne vazhduam me të njëjtin ritëm dhe në pjesën e dytë ia dolëm mbanë edhe nëse mund të kishim shënuar më shumë”.
“Ne ia dedikojmë këtë fitore tifozëve tanë. E dimë se kjo ndeshje është e rëndësishme për ta dhe është e rëndësishme edhe për ne. Gjëja më e rëndësishme në këtë lloj ndeshjeje është të menaxhoni emocionet”, tha Luis Enrique.
“Ne gjithmonë përpiqemi të luajmë në të njëjtën mënyrë: Duam ta kemi topin nën kontroll, ta mbajmë atë. Ideja është që të mos ndryshojmë kurrë qasjen tonë”, u shpreh Luis Enrique.