Ky nuk ka qenë një fillim i mbarë i sezonit për mesfushorin portugez João Palhinha, i cili ka luajtur shumë pak për Bayern Munich në Bundesliga. Në total, ai është aktivizuar vetëm 154 minuta deri më tani dhe ky nuk është një start i mirë për lojtarin që u ble me shumë bujë këtë verë për 51 milionë euro nga Fulham.
Gjithsesi, në intervistën e dhënë për BILD, portugezi u shpreh i sigurt se e ardhmja e tij në Bavari do të jetë më e mirë: “E di që koha ime te Bayern do të vijë. Prandaj punoj shumë çdo ditë dhe luftoj për të marrë shansin tim. Jam i duruar dhe ajo çfarë thuhet apo interpretohet nga jashtë nuk është e rëndësishme”.
“Unë jam në këtë klub të madh sepse besoj në veten time. Jam i fokusuar në punë, stërvitje dhe jam gati sa herë që trajneri ka nevojë për mua. Nëse luaj 90, 45 apo vetëm pesë minuta… unë do të luftoj për çdo moment që jam në fushën e lojës”, garantoi Palhinha.
Më tej, mesfushori portugezo shtoi: “Unë po kënaqem shumë këtu te Bayern. Nuk ishte një rrugë e lehtë derisa arrita në Mynih. Tani ndihem mirë dhe mendoj se mund të arrijmë shumë këtë sezon. Kam pasur një shok skuadre dhe mik të madh në Fulham, Bernd Leno. Ai më foli mirë për Bayern”.
Për marrëdhënien me trajnerin Vincent Kompany ai tha: “Ai është trajner i gjeneratës së re. Ajo që e dallon punën e tij është fakti se ai ka marrëdhënie të mirë me secilin prej nesh. Kjo është e rëndësishme për frymën e ekipit, askush nuk ndihet vetëm. Është e rëndësishme të kuptojmë më mirë idetë e tij. Jam shumë i lumtur me të”.