Barcelona do të luajë sot ndaj Crvena Zvezda në Champions League, një ndeshje ku katalanasit synojnë një tjetër paraqitje të mirë. “Në këtë version të ri të Champions League është shumë e rëndësishme të fitosh. E dimë se do të jetë një ndeshje e vështirë, por qëllimi ynë është të fitojmë”, tha Flick.
Më tej, trajneri i Barcelonës sqaron përse portieri polak Szczesny, i ardhur me shumë bujë pas dëmtimit të Ter Stegen, nuk ka luajtur ende asnjë minutë: “Ai nuk ka as një muaj këtu. Ai është një person i jashtëzakonshëm, ai ndihmon Iñaki Peña dhe lojtarët e tjerë të rinj”.
“Është fantastike që e kemi në skuadër kur të kemi nevojë për të, do të jetë gati. Synimi ynë ishte të kishim një lojtar si ai, me eksperiencë, i cili mund të ndihmojë portierët e tjerë. Iñaki është një portier i ri dhe do të luajë në ndeshjen e sotme. Na jep stabilitet dhe siguri”, tha Hansi Flick.
Për menaxhimin e Gavi pas dëmtimit, ai shtoi: “Nuk e di se kur do të jetë në gjendje të luajë më shumë. Ne do të shkojmë hap pas hapi. Kam folur për këtë me të dhe ne të dy mendojmë në të njëjtën mënyrë. Kjo varet edhe nga ndeshja, por rikuperimi i tij po shkon mirë”.